Dëshmitari i Selës: Nga Ndihma e Shpejtë na thanë të gjindemi vetë disi, pastaj e maskuam atë si polic që ta nxjerrim

Dëshmitari në seancën e sotme për sulmin ndaj Ziadin Selës në Kuvend me 27 prill të vitit të kaluar me detaje e përshkroi rastin se si Sela është evakuuar. Ai shpjegoi se e kanë marrë nga press qendra dhe e kanë dërguar në Klubin e deputetëve, ku e ka kontrolluar infermierja e cila u ka thënë se është shumë i lënduar si dhe është e mundur të ketë gjakderdhje të madhe në tru dhe se urgjentisht duhet të thirret ndihma e shpejtë, transmeton Portalb.mk.

“Jam lajmëruar te Ndihma e Shpejtë, nga ku më thanë se katër ekipe janë dërguar, por njerëzit nuk i kanë lejuar të hyjnë dhe më thanë të gjindemi disi”, tha dëshmitari.

Ai tha se Selës ia kanë hequr dokserin dhe ia kanë larë fytyrën.

“Atëherë për herë të parë ia dëgjova zërin. Filloi të rënkonte dhe të tregojë se ku i dhemb. Vazhdimisht hynin njerëz dhe bërtisnin. Pastaj thash duhet të largohemi se nuk jemi sigurt këtu”, theksoi dëshmitari.

Ai tha se me ndihmën e sigurimit përmes dritares dhe shkallëve për evakuim e kanë nxjerrë Selën dhe e kanë dërguar te kati i zyrave. E kanë vendosur në një zyrë. Atje dëshmitari dhe sigurimi Feta kanë kërkuar ndihmë që të evakuohet Sela.

Siç tregoi dëshmitari, ai i është lajmëruar një shoku shqiptar dhe e ka lutur për ndihmë, ku ai i ka thënë se do të lajmërohet te shokët e vetë në MPB.

“Pas një ore m’u lajmërua shoku dhe tha për pesë minuta do të vijë policia dhe do të trokasë pesë herë. Edhe ashtu ndodhi. Kur hyrën më pyetën se çfarë kërkoj këtu. Unë i tregova dhe të njëjtën e konfirmoi edhe ministri Nikolla Todorov”, theksoi dëshmitari.

Ai shpjegoi se e kanë maskuar Selën si polic, i kanë dhënë shenjë simboli të kuqe dhe verdhë të lidhur në krahun e tij.

“Pas 40 minutave na dhanë maska për të marrë frymë, e kapëm Selën dhe e nxorëm”, tha dëshmitari.

Deputeti Ziadin Sela në natën e 27 prillit, në sallën e Kuvendit është goditur me monitor, shtizë flamuri dhe me dërrasë nga dhunuesit, të cilët tani akuzohen për tentim vrasjen e tij.

Ndyshe, Sela ka deklaruar se kërkon më së paku 500 mijë euro dëmshpërblim për sulmin ndaj tij. Avokati i tij, Abedin Abduli, tha se në këtë shumë janë përfshirë harxhimet për mjekim dhe dhimbjet fizike, dëmtimet në tru, frika e shkaktuar si dhe cënimi i identitetit personal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button