Trafiku i drogës, kapen 157 kg hashash në Lazarat

Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar 157.5 kilogramë hashash dhe ka shpallur në kërkim katër persona. Operacioni i policisë është zhvilluar mëngjesin e sotëm në afërsi të fshatit Lazarat. Rreth orës 04.00 të mëngjesit, katër persona kanë dalë nga fshati Lazarat me çanta shpine dhe po lëviznin në drejtim të malit të Sopotit.

Agjentët e policisë u kanë bërë thirrje që të ndalonin, por të katër personat kanë braktisur çantat me lëndë narkotike dhe janë kthyer mbrapa me vrap në drejtim të fshatit Lazarat duke përfituara edhe nga errësira dhe terreni i thyer.

Policia ka gjetur katër çanta të mëdha shpine, ku brenda tyre kishte 75 pako të mbështjella me letër natriban. Secila prej tyre kishte peshë 2.1 kilogramë hashash, gjithsej 157.5 kilogramë.

Policia ka identifikuar katër personat, ku dy prej tyre janë nga fshati Lazarat dhe dy janë nga Delvina. Policia nuk ka publikuar emrat për arsye hetimore, ndërsa është bërë shpallja e tyre në kërkim. /noa.al

Lajme të ngjashme

Back to top button