Kongresi Stomatologjia sot, prezantoi mbi 50 punime shkencore

Përfundoi punimet Kongresi i katërt ndërkombëtar “Stomatologjia sot”  i cili u mbajt gjatë vikendit në Strugë në organizim të Shoqërisë Stomatologjike Shqiptare. I ndarë në katër sesione, në Kongres janë prezantuar mbi 50 punime shkencore, ligjërata, prezantime gojore dhe prezantime me poster të stomatologëve të vendit, Kosovës e Shqipërisë. 

Xhelal Ibrahimi, kryetar i Shoqërisë Stomatologjike shqiptare, u nda mjaft i kënaqur me rrjedhjen e Kongresit.

“Kongresi Stomatologjia Sot, që u mbajt për të katërtën herë me radhë, është një ndër aktivitetet me nivel më të lartë që bën shoqëria stomatologjike shqiptarë në vazhdimësi për të plotësuar obligimet e dala që i ka dhënë vetes për të qenë në shërbim të kolegëve stomatolog të nivelit të vendit dhe rajonit. Duke pasur parasysh mbarëvajtjen e Kongresit shihet se çdo gjë ishte në rregull, sa i përket aspektit teknik. Vizitorët dhe firmat bashkëpunëtore të cilat i kemi prezent këtu  janë në numër të mjaftueshëm bile do të kisha thënë se është një panair i vërtetë i kësaj pjese të Kongresit” u shpreh Ibrahimi.

Dorian Hysi, Kryetar i shoqatës dentare shqiptare duke përshëndetur mbarëvajtjen e Kongresit tha se një pjesë e mirë e mjekëve e kanë kuptuar se duhet të mbeten vazhdimisht të njoftuar me të rejat e shkencës, të jenë ndjekës aktiv të aktiviteteve shkencore të cilat shërbejnë për të përmirësuar performancën e tyre shkencore dhe klinike.

Ali Gashi, kryetar i Shoqatës së Stomatologëve të Republikës së Kosovës, garantoi për mbështetjen që do tu japë këtyre organizimeve që do të mbahen edhe në ardhmen.

“Ky kongres ndërkombëtar u përkrah me pjesëmarrje aktive dhe pasive të anëtarëve të shoqatës së stomatologëve të Republikës së Kosovës. Pjesëmarrja e tyre është me prezantime orale, posterë dhe profesorë të ftuar ‘tha Gashi.

Ndërkaq, Sabetin Çerkezi, Kryetar i Këshillit organizativ të Kongresit, tha se bëhet fjalë për Kongres që organizohet çdo të dytin vit, dhe se ky kongres paraqet eveniment më të lartë se simpoziumet të cilat i kanë organizuar vite më parë.

 “Në Kongres kemi pasur pjesëmarrje të kënaqshme por mendoj se sivjet kemi arritur një kulm falë organizimit të mirë të Kongresit. Në këtë Kongres kemi edhe profesor nga Spanja, bëhet fjalë për një ndër profesorët i cili ka institutin e vet dhe një teknikë të vetën, mandej kemi dy profesorë nga Zagrebi, të cilët mbajtën ligjërata, morri pjesë edhe dekani i fakultetit të Stomatologjisë dhe të tjerë, profesorë nga Turqia, Shqipëria …’, tha Çerkezi.

Kongresi i parë është mbajtur në vitin 2006, i dyti në vitin 2008, ndërsa Kongresi i tretë në vitin 2010. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button