DiCarlo konfirmon përkrahjen amerikane

Zhvillimet aktuale në Kosovë, procesi i integrimeve, konsolidimi i shtetësisë, sigurimi i njohjeve të reja dhe pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale dhe ato ndërkombëtare, ishin temat për të cilat u bisedua në takimin e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga në New York me zëvendësshefen e misionit të SHBA-së në OKB, ambasadoren Rosemary DiCarlo.

Presidentja Jahjaga dhe ambasadorja Di Carlo biseduan edhe për sfidat e Kosovës e në veçanti ato në tri komunat në veri të vendit.

Presidentja e Republikës së Kosovës theksoi se zbatimi i Planit Ahtisaari është zgjidhja më e mirë për tri komunat në veri, që ofron dhe garanton të drejtat dhe liritë për komunitetin serb në këtë pjesë të vendit dhe theksoi nevojën e integrimit të tyre në institucionet e vendit. Ajo tha se zbatimi i sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me theks të posaçëm në tri komunat në veri, garanton stabilitetin dhe përparimin e përgjithshëm, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Presidenca.

Jahjaga theksoi se është e rëndësishme pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale dhe ato ndërkombëtare veçanërisht në fushën e sigurisë.

Zëvendsshefja e misionit të SHBA në OKB, ambasadorja Rosemary DiCarlo, vlerësoi të arriturat dhe përparimin e Kosovës në të gjitha fushat dhe theksoi se është me rëndësi që Kosova të mbetet e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike.

Ajo tha se SHBA-ja përkrah Kosovën në të gjitha fushat dhe u angazhua për pjesëmarrjen e saj në nismat rajonale dhe ndërkombëtare, posaçërisht në ato që organizohen në kuadër të OKB-së. /Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button