Poposki: Greqia na bllokon, por ne nuk ndalemi

Për shkak të kontestit të imponuar me emrin, Greqia nuk i lejon Maqedonisë të përparojë dhe t’i fillojë negociatat për anëtarësim  në BE, por prapëseprapë vendi po ndërton një atmosferë konstruktive nëpërmjet zbatimit të reformave dhe udhëzimeve të Parlamentit Evropian.
Këtë e theksoi Ministri i punëve të jashtme, Nikolla Poposki gjatë fjalimit të tij në hapjen e mbledhjes së 10-të të Komitetit të përzier parlamentar të Maqedonisë dhe BE-së, i cili u mbajt sot në Bruksel.

Ai kërkoi vlerësim të përpjekjeve të Maqedonisë dhe përcaktimin e një date për fillim të negociatave në samitin e Këshillit Evropian në qershor.

“Vendimi i Gjykatës ndërkombëtare është një element i rëndësishëm i cili do të jetë i dobishëm në këtë shtëpi ku respektimi i së drejtës është parimi kryesor. Të konstatojmë një obligim të përbashkët dhe një kornizë ligjore e cila do të garantojë se nuk do të ketë pengesa të mëtutjeshme në procesin e integrimeve euroatlantike të Maqedonisë. Procesi i bisedimeve mundëson tejkalimin e pengesave bilaterale. Anëtarësimi i Kroacisë në BE ndodhi nëpërmjet të procesit të bisedimeve, ku u mundësua një klimë pozitive e cila kontribuoi në tejkalimin e kontestit bilateral me Slloveninë. Ky është një model pozitiv dhe një metodologji konstruktive për ndihmë gjatë procesit të integrimit”, tha Poposki.  

Ndryshe, nga pikat që u miratuan në këtë mbledhje janë: të kthehet mbiemri “maqedonas” në raportet e Këshillit evropian dhe të respektohet identiteti, kultura dhe gjuha maqedonase, Këshilli Evropian deri në fund të këtij viti të japë datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe aktgjykimi i Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë nga Haga të jetë obligim që Greqia të mos e pengojë fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe BE. 

Pikat si rekomandim do të dërgohen deri te Komisioni evropian dhe Këshilli evropian, ka lajmëruar korrespodenti i agjencisë MIA./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button