Gostivari vazhdon me riparime të ujësjellësit

Gostivari këto ditë është i preokupuar me ndërtime të ujësjellësve dhe rrugëve. Si që lajmërojnë nga Komuna e Gostivarit, ndërmarrja publike “Komunalec” është duke realizuar më shumë projekte për ndërtim të kanalizimit dhe riparim të rrjetit të ujësjellësit.

“Në vijim e sipër është zëvendësimi i gypave të vjetër dhe riparim komplet i linjës së ujësjellësit që kalon përskaj bregut të lumit Vardar nga ana e majtë, në gjatësi prej 900 metrash. Do të vendosen gypa të rinj në gjatësi prej 350 metrash, e që përkon me përgatitjet e fundit për fillim të ndërtimit të vazhdimit të shëtitores te bregu i lumit Vardar. Pjesa tjetër e ujësjellësit në gjatësi prej 550 metrash shtesë do të riparohet pasi të merren mjetet nga kredia e KHË Bank, ndërsa projekti peshon rreth 20 mijë euro, ku ndërmarrja participon me 20 për qind mjete vetjake”, njofton drejtori teknik i NP Komunalec, ing.Vullnet Çerkezi.

Më tej nga kjo komunë lajmëruan se në vazhdën e punëve ndërtimore te Zona e VII, për momentin punohet në ndërtimin e kanalizimit në gjatësi prej 320 metarsh, që do të mundësojë kyçjen në rrjetin e kanalizimit të 25 amvisërive, ndërsa investimi kap shfifrën prej rreth 30 mijë eurosh.

Projekti më me peshë të cilin për momentin është duke e realizuar NP Komunalec, është ndërtimi i kanalizimit për gati se një të tretën e amvisërive të fshatit Zdunjë, e që arrin shifrën prej 100 mijë euro investim.

“Në këtë fshat do të ndërtohet kanalizim në gjatësi prej 1000 metrash, me çka rreth 30 për qind e amvisërive do të kenë qasje në rrjetin e kanalizimit. Për momentin jemi duke e realizuar fazën e parë të projekti, respektivisht jemi duke ndërtuar kanalizimin ku do të mund të kyçen 12 amvisëri. Kostoja totale e këtij projekti sipas parashikimeve, do të arrij në 100 mijë euro”, nënvizoi Çerkezi.

Më tej nga kjo komunë lajmëruan se pas përfundimit të kanalizimit fekal dhe atmosferik, ndërtimit të trotuareve, zgjerimit, nivelizimit dhe tamponimit të rrugëve, sot ka përfunduar asfaltimi i rrugës kryesore dhe disa rrugicave në lagjen Zona e 7 e qytetit. Asfaltimi përfshin një rrjet rrugor me gjatësi mbi 700 metra dhe sipërfaqe të përgjithshme rreth 6000 m2. 

Realizimi i këtij projekti infrastrukturor i Komunës së Gostivarit, është bërë në bashkëpunim të ngushtë edhe me banorët e kësaj lagje. Janë tejkaluar disa konteste pronësore me çka është bërë i mundur zgjerimi i rrugëve dhe ndërtimi i trotuareve në parametrat standarde. Kostoja e përgjithshme e investimeve për këtë fazë në lagjen Zona VII, është mbi 100 mijë euro./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button