Reçanasit, deoponia në këtë fshat do të jetë bombë ekologjike

Banorët e fshatit Reçan janë shprehur të pakënaqur me vendimin e Ministrisë së ekologjisë që të ndërtohet deponi në hapësirat e fshatit Reçan. Ata thonë se shkak për këtë është përvoja e hidhur që e kanë me ndërmarrjet që e përpunojnë gurin e që ndodhen përballë fshatit të cilat vite me radhë u shkaktojnë problem me ndotjen e ambientit. Pakënaqësinë e tyre e shprehën te kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani i cili pranoi një delegacion të banorëve të fshatit të udhëhequr nga udhëheqësia e bashkësisë lokale të fshatit.

“Bujqit moti kanë hekur dorë nga mbjellja e kulturave të ndryshme shkaku i pluhurit të madh që çohet nga mullinjtë e gurit që shkaktojnë pluhur të madh dhe arat janë të pashfrytëzueshme. Deponia për banorët e fshatit tonë dhe të fshatrave që ndodhen në rajonin tonë do të ishte bombë ekologjike. Ne nuk mund të lejojmë që të kemi pasoja ekologjike e ta rregullojmë çështjen e hedhurina të Tetovës dhe vendbanimeve tjera.  Hapësirat ku kanë ndërmend të ndërtohet deponia janë pronë private e banorëve të fshatit Reçan dhe ne jemi unanimist kundër deponisë” tha përfaqësuesi i banorëve të Reçanit, z.Imërli.

Banorët e Reçanit u shprehën se kanë përgatitur një peticion kundër deponisë dhe do t’i kërkojnë të drejtat e tyre në të gjitha instancat dhe nëse nuk kanë sukses në mënyrë institucionale atëherë do të ndërmarrin masa më të rrepta dhe do ta bllokojnë rrugën magjistrale për në Mavrovë dhe Ohër.

Nga ana tjetër, kryetari i komunës Rufi Osmani u shprehu mirëkuptim banorëve të këtij fshati që janë të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe gjeneratave të reja. Ai prej tyre kërkoi që të jenë më të kujdesshëm në marrjen e vendimeve si dhe të bëjnë dallim për çështjen e kompetencës se kush menaxhon me deponinë rajonale.

“Vendimet e shpejtuara ndonjëherë mund  të kenë pasoja prandaj nuk është keq që ju të bëni takime me të gjithë faktorët relevant që kanë të bëjnë me deponinë, të merrni informata prej tyre dhe pasi t’i kompletoni të njëjtat të shihni se cili është interesi juaj si fshat, a u konvenon që të lejoni të ndërtohet deponi rajonale apo jo. Si kryetar komune gjithmonë jam nisur nga prizmi i benifitit që mund ta ketë fshati. Nëse ndërtimi i një deponie me infrastrukturë përcjellëse që nënkupton edhe fabrikë riciklimi e ku do të mund të punësoheshin një numër i konsideruar i banorëve nga ky rajon është një moment për të cilin ju duhet të mendoni sidomos nëse merret parasysh gjendja e vështirë ekonomike në të cilën ndodhemi. Unë do ta mbështes vendimin që do ta merrni si fshat dhe të njëjtin do ta shpreh në seancën e Këshillit komunal të Gostivarit” tha Osmani.

Ministria e ekologjisë për shkak të problemeve pronësoro juridike që i kishte lokacioni paraprak “Rusino” si vend alternativ parasheh që e njëjta të ndërtohet në hapësirat e fshatit Reçan./Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button