Rexha i përgjigjet Haradinajt: Hajninë nuk ua solla unë nga Austria

Ish-kryetari i Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Blerim Rexha, ka thënë se nuk ndihet i fyer nga kryeministri Ramush Haradinaj, që sot e quajti hajn ordiner, njofton Koha.net.

Rexha në një postim në Facebook ka thënë se Haradinaj është shqetësuar dhe po sillet me nervozizëm sepse ka kuptuar gabimin për shkarkimin e të gjithëve nga ky bord.

“Nuk po ndihem i fyer më shpifjet e juaja ndaj personalitetit tim. Po mundohem, bile edhe të kuptoj shqetësimin dhe nervozizmin tuaj lidhur me gabimin që keni bërë për shkarkimin të gjithë anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA). Gabim, që iu kam sqaruar në letrën time publike, një ditë pas kërkesës tuaj jo ligjore për shkarkim të Bordit të AKA. Gabimi është vetëm një pasojë e pasaktësisë së gjykimit, por këmbëngulja me një gabim tregon edhe mungesë karakteri”, ka thënë Rexha.

Rexha ka thënë se Haradinaj është bërë viktimë (me ose pa qëllim) e grupeve të interesit, mashtruesve dhe plagjiatorëve në arsimin e lartë.

“Veprimet e Bordit të kaluar, të gjitha ligjore, disa institucione i kanë parë si pengesë për vazhdimin e aktiviteteve të tyre biznesore. Thjeshtë, Bordi i kaluar ndali regjistrimin pakufi të studentëve, ndali akreditimin pa plotësim minimal të programeve me profesorë të rregullt, dhe shumë rezultate tjera. Rezultate, që i kemi bërë publike që atëherë dhe tani i di i gjithë opinioni kosovar. Rezultate që i ka pranuar edhe EQAR dhe ENQA”, ka shtuar Rexha. “I nderuar kryeministër nuk jam kam bërë “davë” në EQAR! Raportimi në EQAR është obligim ligjor, sipas rregullores së anëtarësisë, pas çdo ndryshimi substancial në Agjenci, mjafton që këshilltarët tuaj të lexojnë rregulloren. E kam ndie edhe obligim moral, ti njoftoi institucionet që kemi bashkëpunuar që jemi shkarkuar nga Bordi, për arsye që nuk i di askush, e madje as ju nuk i dini, siç edhe e konfirmuat sot. Është vonë të pohosh gabimet kur anija tani më është fundosur!”.

Rexha ka folur edhe për dorëheqjen e tij nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Sa i përket akuzave nga Haradinaj se USAID-i kishte lëshuar mbledhjen vetëm pse Rexha ishte pjesë e takimit, ish-anëtari i bordit të AKA-së ka thënë se kjo paraqet “qasjen mjerane dhe vetëdijen e institucioneve”.

“Lidhur me dorëheqjen time nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ashtu siç e kam thënë atëherë, publikisht nuk jam pajtuar me politikat e privatizimit, si p.sh. të privatizohen 50 hektarë toke të Kosovës për 5.000 (5 mijë) euro! Besoj, që të dy pajtohemi, që toka e Kosovës vlen më shumë! Unë, atëherë, vetëm e ngrita zërin! Të tjerat i di opinioni ynë, mjafton të lexohen! Raportet e mia me miqtë ndërkombëtarë, janë gjithnjë e më të mira. Tendenca juaj dhe vartësve tuaj të fshihem prapa petkut amerikan dhe “informacioneve sekrete” nuk do koment dhe vetëm paraqet qasjen mjerane dhe vetëdijen e institucioneve që ju udhëhiqni”, ka shkruar Rexha.

Në fund Rexha ka thënë se fyerja se ai është hajn ordiner, është tentim njollosje për familjen e tij, shkollimin dhe karrierën si profesor.

“‘Fyerja’ juaj se unë jam ‘hajn ordiner’, nuk është njollosje vetëm për mua, është njollosje që po tentoni t’i bëni familjes time, shkollimit tim në Universitetin Teknik të Vjenës, karrierës time profesionale gati 10 vjeçare në Siemens të Austrisë dhe mbi 10 vite karrierë të suksesshme në Universitetin e Prishtinës. Prandaj, ju nuk mund të më fyeni, sepse ‘hajninë nuk ua solla unë nga Austria’, atë po e kërkoni në adresën gabuar! Kryeministër, ju i keni të gjitha mekanizmat në dispozicion, hidhi transparencë këtij proces!”, ka shkruar Rexha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button