Rebalanci, sërish ndërprehen projektet shqiptare

Me 60 vota ‘pro’ dhe 38 kundër Kuvendi e miratoi rebalancin e Buxhetit për vitin 2012. Sipas propozuesit, ministrit të financave Stavrevski,  ky reagim vjen në kohë të duhur dhe është një vijë me trendet aktuale në ekonomi, të cilat janë pasojë e krizës në Evropë.

Por, në çfarë mënyre bëhet ky rishikim i buxhetit? Vallë a është e drejtë përshtypja se me këto reduktime  preken vetëm projektet që duhet të realizohen në vendbanimet ku dominon popullata shqiptare?

Deputeti i RDK-së opozitare, Izet Zeqiri profesor universitar pikërisht në lëndën e ekonomisë thotë se rishikimi i buxhetit fare nuk ka të bëjë me ndikimet nga kriza në eurozonë, por është thjeshtë pasojë e projeksioneve të gabuara nga qeveria. 

‘Qeveria dështoi në projektimet makroekonomike në tremujorin e parë, jo për shkak të krizës financiare evropiane por për shkak të projektimeve të gabuara të parashikimit të rritjes ekonomike me 4.5 për qind dhe investimeve kapitale të fryera për 438 milionë euro me buxhet’ deklaroi për Portalb Zeqiri.

‘Arka  shtetërore duhet të zvogëlohet për 160 milion euro, aq sa ishte edhe parashikimi i RDK-së, e jo për sa planifikon Stavrevski për 121 milon euro me qëllim që deri në shtator të kemi stabilitet ekonomik në vend, pasi të hyrat publike të dy muajve të parë e flasin këtë boshllëk’.

‘Do të  shkurtohen projektet e dedikuara për rajonet shqiptare: shkollat, infrastruktura, rrugët, ujësjellësit, në vend se mjetet për promovimin ekonomik të qeverisë dhe projektet joproduktive në sferën e kulturës, muzeve, përmendoreve’ thotë Zeqiri.

Zeqiri pyet qeverinë se pse akoma edhe pse gjysma e vitit kaloi nuk kanë filluar të realizohen projektet siç janë ndërtimi i rrugës rajonale nga Kërçova deri në Dibër, rrugës rajonale Tetovë–Jazhincë, rrugës rajonale Kumanovë-Likovë-Haraçinë, renovimi i rrugës Tetovë–Bogovinë–Gostivar, ndërtimi i shkollave në Haraçinë, Gazi Babë, Çair, Shuto Orizarë dhe Saraj, e shumë projekte tjera.

Ja faktet qe dëshmojnë diskriminimin e mëtutjeshëm te shqiptarëve nga ky propozim i rebalancit i buxhetit:

Në Ministrinë e Arsimit, pozicionet buxhetore që lidhen me arsimin e shqiptarëve në Maqedoni, zvogëlohen në përqindje te konsiderueshme. Me rebalancin që propozon qeveria, Universitetit Shtetëror të Tetovës i zvogëlohet buxheti për 750.000 euro. Ky zvogëlim paraqet 50% – shin e zvogëlimit të mjeteve financiare. 


Teatrit Shqiptar të Shkupit i zvogëlohen mjetet financiare nga projekt-rebalanci i fundit për 406,000 euro. 

Bibliotekës së Tetovës i zvogëlohen mjetet financiare nga projekt-rebalanci për 50%, respektivisht për 243,000 euro

Qendrës për Kulturë të Tetovës për 65,040 euro i zvogëlohen mjetet financiare për 50%, 

Ndërtimi i qendrës diagnostike në qendrën klinike të Tetovës, në vlerë prej 500.000 euro zvoglohet për 50% ose për 250.000 euro.

Projektet e parapara për ndërtimin e kanalizimit të fekaleve dhe ujërave të zeza që ishin paraparë të ndërtohen në Komunën e Sarajit, vitin e kaluar nga 60 milion denarë (apo1 milion euro) u shkurtuan në 15 milion denarë.

Nga reduktimet në shëndetësi reduktohen mjetet vetëm për Klinikën e Tetovës! Ndërsa në kushte të reduktimeve të përgjithshme në Krushevë do të krijohen shpenzime të paplanifikuara. Ku është buxheti proporcional për të cilën flet BDI? Jo vetëm që nuk ka buxhet proporcional, por edhe reduktimet janë selektive dhe të njëanshme, duke prekur më së shumti projektet shqiptare./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button