Për çdo rast, Xhaferi me barrikadë e mbron kartelën për votim (VIDEO)

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka vendosur barrikadë në  tavolinën e tij, ku qëndron vendi për kartelën për evidentimin e votimit, që të mos mundet askush t’i marrë, njofton Portalb.mk.

Rast i tillë, ka ndodhur në gusht të vitit të kaluar, kur deputeti i VMRO-DPMEN-së, Ilija Dimovski, ia ka nxjerë kartelën Xhaferit, dhe kështu kryeparlamentari Xhaferi është obliguar që ta thërret sigurimin, të qëndrojë te foltorja, që mos t’ia nxjerrë prapë dikush kartelën.

Ndryshe, Xhaferi e ka shtyrë vazhdimin e seancës së 32-të në të cilën në rend dite ishin mbi 35.000 amendamente për Ligjin për gjuhët. Seanca, sipas informacioneve nga Kuvendi do të caktohet në mënyrë shtesë.

Informacione zyrtare pse është shtyrë vazhdimi nuk ka. Edhe pse gjatë tërë ditës ka pasur komunikim midis kryetarit të Kuvendit dhe grupeve të deputetëve, nuk është arritur marrëveshje се si të dilet nga situata.

Situata e tillë vjen pasi që ende janë aktuale 35,569 amendamentet të cilat u propozuan nga opozitarja maqedonase, VMRO-DPMNE nën arsyetimin që e njëjta të plotësohet dhe të reflektojë barazi sociale-amendamentet të cilat bllokuan Kuvendin e Maqedonisë për më shumë se një muaj.

Sipas rregullores së Kuvendit, për secilin amendamentet, propozuesi, në këtë rast VMRO-DPMNE-ja ka të drejtë që të shtjellojë të njëjtin 3 minuta, që në total nëse diskutohen të gjitha amendamentet do të duhen 105.000 minuta. Matematika optimiste thotë se për një orë mund të shtjellohen 30 amendamentet ose 240 në ditë.

Megjithatë, ekspertët thonë se që të mos bllokohet Kuvendi dhe nga ana tjetër të mund të shqyrtohen amendamentet e ligjit të përdorimit të gjuhëve mundet që seanca plenare të ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë të diskutohet për ligjin për përdorimin e gjuhëve, në pjesën tjetër të miratohen ligjet e rëndësishme për perspektivën euroatlantike të Maqedonisë.

Në lidhje me këtë, të dielën lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski deklaroi ligji i gjuhëve është antikushtetues dhe i pazbatueshëm. Deklaratë kjo e thënë edhe më herët.

“VMRO-DPMNE-ja i mban qëndrimet e saja që i ka thënë disa herë, se ai është antikushtetues dhe i pazbatueshëm dhe për të njëjtin duhet të respektohet Rregullorja dhe ligji”, tha Mickoski.

Në lidhje me deklaratën e Mickoskit, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev deklaroi se është i papranueshëm propozimi i Mickoskit për vlerësim të kushtetueshmërisë së ligjit.

“Kërkova të gjendet zgjidhje për mijërat amendamentet e ligjit të gjuhëve, por ishte i papranueshëm propozimi i Mickoskit për formimin e grupeve punuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit. Për atë është kompetente Gjykata Kushtetuese”, tha Zaev.

Përndryshe, mbi 35 mijë amendamentet e propozuara nga VMRO-DPMNE-ja për ligjin e gjuhëve, e kanë paralizuar punën e Kuvendit. Edhe vetë kryeparlamentari Xhaferi, të njëjtat i ka cilësuar si bllokadë të Kuvendit të Maqedonisë, ndërkaq nga ana tjetër VMRO-DPMNE thirret në atë se ato kanë për synim të arrijnë barazi sociale dhe janë në pajtueshmëri me vërejtjet e kryetarit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Ndryshe, më 28 janar në rend dite të seancës plenare u vendos ligji i gjuhëve për diskutim, por ai u tërheq pas për shkak se për të njëjtin u propozuan 35,569 amendamente nga VMRO-DPMNE-ja.

Debati për ligjin e gjuhëve në Kuvend filloi më 5 shtator të vitit të kaluar në Komisionin për Çështje Evropiane, ndërsa shumica parlamentare e aprovoi nevojën për miratimin e tij më 15-të nëntor të vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button