“Martirizon” për së gjalli vajzën e vogël, lumë kritikash ndaj Erdoganit
Recep Tayyip Erdogan është gjendur nën një rrebesh kritikash për komentet ndaj një vajze të vogël në uniformë ushtarake, së cilës i tha se do t’i bëheshin të gjitha nderimet nëse vritej në luftime.
Episodi ndodhi gjatë Kongresit të partisë së tij “AK”, ku mbështetësit e kreut të shtetit shpërthyen në brohorima, duke i kërkuar t’i çonte në Afrin, qyteti sirian i kthyer në sheshbetejën e ushtarëve turq me luftëtarët kurdë.
Nuk vonoi shumë që reagimet në rrjetet sociale të shpërthenin e fjalimi i Erdoganit të përshkruhej si “abuzim me fëmijët” e “lartësim i vdekjes”.
“Shiko kë kemi këtu, kemi beretat bojë kafe, por beretat kafe nuk qajnë kurrë”, i tha ai vajzës që mbante në kokë simbolin e forcave të posaçme operacionale turke. “Ajo është gati për çdo gjë, apo jo”, pyet Erdogani dhe e mitura, mes lotësh i përgjigjet “po”.
“Ky është turp i madh”, shkroi një përdorues i “Twitter”-it. “Ajo është vetëm një fëmijë, nuk mund t’i urosh vdekjen e të thuash: dashtë Zoti të jetë ashtu”.
Erdogani deri tani nuk iu është përgjigjur kritikave, por nuk është hera e parë që komentet e tij mbi martirizimin shkaktojnë debate të mëdha në Turqi, ku çdo ushtar apo polic i vrarë në detyrë konsiderohet “një martir”.