U realizuan parashikimet e Milloshoskit, kompletimi i KSHZ-së u prolongua
Janë realizuar parashikimet e deputetit të VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, i cili paralajmëroi se seanca e sotme plenare për kompletimin e KSHZ-së, do të zhvendoset më poshtë, në rendit e ditës të Kuvendit, njofton Portalb.mk.
Kompletimi i KSHZ-së, ishte në pikën 3 të rendit të ditës, ndërkaq e njëjta u zhvendos në pikën 17.
Milloshoski në “Facebook”, nëpërmjet një statusi paralajmëroi se “pushteti do ta obstruojë zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KSHZ-së”.
Në statusin e tij, ai tha se në seancën e sotme plenare në Kuvend, pas kërkesës së pushtetit, do të zhvendoset pika për publikimin e shpalljes për anëtarë të rinj të KSHZ-së.
“Kanë arritur urdhra nga pushteti ekzekutiv deri te shumica parlamentare; një ministër nga radhët e LSDM-së u është lajmëruar disa deputetëve dhe u ka kërkuar:
- Deputetët të votojnë kundër vendimit për kompletim të KSHZ-së, ose
- Deputetët e shumicës parlamentare ta zhvendosin më poshtë në rend dite, pikën për KSHZ-në
- LSDM dhe BDI ta zhvendosin pikën për KSHZ-në më poshtë dhe përpara së e njëjta të vijë në rend, seanca të ndalohet dhe të zhvendoset e njëjta që të zvarritet
Milloshoski më pas pyeti publikisht se kujt i shkon për shtati që KSHZ të jetë jo-funksionale dhe jo e kompletuar.
Përndryshe, pas skandalit me 9 rrogat të Komisionit Shtetëror Zgjedhor në Maqedoni i cili ngjalli debat të ashpër në opinion, tetë prej nëntë anëtarëve të KSHZ-së dhanë dorëheqje.
Dorëheqje dhanë kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Çiçakovski, nënkryetari Rexhep Prekopuca, anëtari nga radhët e ekspertëve, Atanas Urumov, anëtarët Silvana Boneva, Sasho Sërcev, Subhi Jakupi, Violeta Duma dhe Igor Milev.
Në funksion mbetet vetëm anëtarja e Lëvizjes BESA, Ermira Asani Salija.
Dorëheqjet erdhën pas reagimeve në opinion që nisën pasi që ambasadori i Amerikës në Maqedoni, Xhes Bejli deklaroi se: “Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) për zgjedhjet parlamentare dhe lokale të fundit në Maqedoni ka shpërblyer veten me 9 rroga shtesë”. Ndaj kësaj reagoi KSHZ duke thënë “se kompensimet janë marrë në baza ligjore”.
Ndryshe, sot Kuvendi i Maqedonisë në vazhdimin e seancës së 24 i ka miratuar ndryshimet në ligjin për Sigurim Pensional dhe Invalidor, me procedurë shkurtuar.
Kuvendi votoi për ndryshimet e ligjit për Sigurim Pensional dhe Invalidor