Sërish “kërcënon” BE-në

Kryeministri Hashim Thaçi ka vazhduar me kritikat ndaj qasjes së Bashkimit Evropian përballë rajonit ballkanik, dhe në veçanti ndaj Republikës së Kosovës. Kryeministri ka thënë se vonesa e pajustifikueshme e Bashkimit Evropian për ta integruar rajonin brenda këtij unioni, mund të kontribuojë edhe më shumë në forcimin e radikalizmit në rajon, që do të ishte i rrezikshëm jo vetëm për Ballkanin.

“Nëse Bashkimi Evropian vazhdon ta vonojë përshpejtimin e anëtarësimit për pjesën e mbetur të shteteve të Ballkanit Perëndimorë kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë do të minojë përpjekjet tona për të ndërtuar shoqëri shumetnike. Për më shumë, vonesat do t’i japin zjarr aspiratave të radikalëve për të krijuar shtete mono-etnike. Dhe kjo do të mund të çonte në ndryshimin e kufijve të njohur ndërkombëtarisht-që është skenari më i keq, ka deklaruar kryeministri Thaçi për emisionin debat të RTK-së.

Thaçi ka thënë se është kundër idesë për ndryshimin e kufijve, por sipas tij, Kosova dhe shqiptarët mund t’i përgjigjen më së miri çdo rrethane të re të mundshme në rajon. “Unë nuk jam për ndryshim të kufijve, sepse është mentalitet i së kaluarës. Jam për hapje të kufijve dhe integrim në strukturat euro-atlantike, sepse është qasje që sjell stabilitet dhe paqe në rajon. Por e përsëris se çdo ide për ndryshimin e kufijve, konkretisht në veri të Kosovës, nënkupton ndryshim kufijve të së paku gjashtë shteteve në rajon”.

Kryeministri ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të shtojë presionin mbi Serbisë në mënyrë që të ndalojë provokimet ndaj Kosovës. Ai po ashtu ka thënë se Kosova ka bërë progres substancial, por ende nuk ka marrë shpërblim për këtë. “Është koha që Bashkimi Evropian t’i afrohet Kosovës me vepra dhe pa retorikë, sepse Kosovës është Evropë, dhe se rruga e saj e vetme është integrimi në strukturat euroatlantike. Dhe unë besoj në këtë”.

Sa i përket veriut, kryeministri ka thënë se është i gatshëm të bisedojë me përfaqësuesit serbë, pa Serbinë. Ndërsa sa i përket bisedimeve me Serbinë, ai ka thënë se ato do të vazhdojnë vetëm atëherë kur Serbia do të tregojë qasje serioze për implementimin e marrëveshjeve të arritura deri tanë ndërmjet dy shteteve. “Relacioni me Serbinë është një relacion i veçantë, sepse është zhvilluar një luftë deri në përmasa të gjenocidit. U kam thënë se mund të arrihet që shqiptarët dhe serbët të respektojnë njëri-tjetrin, por asnjëherë nuk garantoj se mund të ketë dashuri mes tyre”, ka thënë ndër të tjera Thaçi. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button