Kryeministri malazez për vizitë në Kosovë
Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.
Markoviq është dashur të arrijë në Kosovë më 6 shkurt, por vizita atëherë u anulua, pasi aeroplani i tij nuk ka mundur të aterojë në aeroportin e Prishtinës për shkak të mjegullës së dendur.
Markoviq pasdite duhet të arrijë në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ku do ta pritë zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj.
Është paraparë që Markoviq sot të ketë takim me nikoqirin e tij, kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërsa nesër do të takohet edhe me kryetarin e Parlamentit Kadri Veseli dhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Markoviq do të ketë takim edhe me përfaqësuesit e komunitetit malazez në Kosovë.
Mediat kosovare theksojnë se pritet vizita e tij t’i japë fund çështjes për demarkacionin e kufirit midis dy vendeve.
Markoviq disa herë ka deklaruar se për Malin e Zi, çështja për demarkacionin është “punë e kryer”.