Hoxhaj flet për Strategjinë e Zgjerimit: Ekziston qasje favorizuese ndaj Serbisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se Strategjia për Zgjerim e BE-së e  publikuar sot në Bruksel është një dokument i rëndësishëm meqenëse ofron një kornizë serioze për zgjerimin e BE-së në drejtim të Ballkanit.

Hoxhaj  tha në RTK, se pret që Kosova brenda një kohe të shkurtër ta marrë rekomandimin për statusin e kandidatit për anëtarësim.

Ai tha se kjo strategji është një dokument i rëndësishëm që ofron perspektivë edhe për Kosovën ku përmendet avancimi i Kosovës, ndonëse përmendi se për Kosovën nuk ofron një plan kohor.

Hoxhaj tha se pritjet e tij kanë qenë më të mëdha për Kosovën, duke përmendur statusin e kandidatit.

Ai tha se Serbia nuk e meriton një trajtim të tillë, sikurse është paraparë në këtë strategjinë për zgjerim të BE-së.

Zëvendëskryeministri tha se për Kosovën është me rëndësi që së bashku me shtetet e tjera është pjesë e politikës së zgjerimit, dhe raporti ynë kontraktual me Bashkimin Evropian përmes zbatimit të MSA-së e bën anëtarësimin tonë të pandalshëm.

“Pritjet tona kanë qenë dhe janë që kjo strategji të jetë me të vërtetë udhërrëfyes në rrugën drejt anëtarësimit, duke ofruar një kalendar kohor dhe faza konkrete të avancimit të pozitës së Kosovës. Ne në vazhdimësi kemi kërkuar qasje të balancuar, çka edhe kemi arritur deri në një farë pike”, tha ai.

Hoxhaj tha se strategjia është e rëndësisë së veçantë meqë vëmendje e posaçme i jepet dialogut Kosovë – Serbi.

“Është mëse e vërtetë që stabiliteti i rajonit varet nga normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, që do të përmbyllte dialogun e Brukselit me njohje të ndërsjellët dhe anëtarësim të Kosovës në OKB. Prandaj, qartësia e BE-së në raport me dialogun dhe politika e saj e kushtëzimit është jetike për ta përmbyllur njërën ndër sfidat më vështira historike në Ballkanin Perëndimor”.

Hoxhaj foli për politikë favorizuese të BE-së kundrejt Serbisë, ku tha se “BE po e përdor dialogun për ta mbajtur Serbinë të drejtuar kah Bashkimi Evropian dhe larg Rusisë. Në anën tjetër, Kosova nuk po shpërblehet sa duhet nga ky dialog”.

Hoxhaj ka folur për marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, ku ka thënë se Qeveria duhet ta gjejë një gjuhë të përbashkët, duke theksuar se është shumë e rëndësishme që kjo marrëveshje të ratifikohet sa më shpejtë në mënyrë që qytetarët të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button