Në fund të procesit të dialogut, Kosova do të jetë pjesë e OKB-së”

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi mbajti një konferencë për media në të cilën foli për çështje të shumta, duke filluar nga të arriturat brenda dhjetë viteve nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, si dhe për tema të rëndësishme për Kosovën, si marrëdhëniet me Serbinë, gjykata speciale, liberalizimi i vizave dhe transformimi i FSK-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë fjalimit të tij, Thaçi foli për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ku shprehu se në takimin e tij me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç në Davos janë dakorduar se është e nevojshme dhe e domosdoshme arritja e marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai theksoi se jetike është që në fund të këtij procesi, Kosova të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara pa u penguar as nga Rusia, e nxitur as nga Serbia.

“Do të ndodhte mrekullia sikur Serbia të bindej për të njohur pavarësinë e Kosovës, por nuk mund të them që sot Serbia ka atë gatishmëri që në fund të këtij procesi të njeh pavarësinë e Kosovës. Por, jam optimist dhe kam besim të plotë se në fund të këtij procesi, Kosova do të jetë pjesë e OKB-së”, tha Thaçi.

Duke folur edhe për rastin e vrasjes së politikanit serb në Kosovës, Oliver Ivanoviç, Thaçi tha se institucionet e Kosovës do të dalin me rezultate konkrete për identifikimin dhe kapjen e atyre që kanë kryer aktin dhe të atyre që qëndrojnë prapa tij. Ai shtoi se të dhënat e para tregojnë se vrasja e Ivanoviçit ka qenë një akt kriminal- mafioz pa të dhëna të sakta për motiv politik, ndërsa nënvizoi se këto të dhëna përjashtojnë çdo mundësi që ky akt të ketë ndodhur si pasojë e konflikteve ndëretnike.

Duke shprehur se serbët e Kosovës janë të integruar në institucionet e vendit, Thaçi tha: “Ne e kemi një atdhe. Kosova është e jona. Nuk është më tepër e një komuniteti e më pak e një tjetër komuniteti. Prandaj, duhet të lëvizim për të ecur përpara bashkërisht, por edhe të punojmë dhe t’i marrim përgjegjësitë e përbashkëta”.

Kosova do t’i përmbyllë të gjitha obligimet karshi BE-së

Presidenti Thaçi, i cili foli lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, shprehu besimin se Kosova do t’i përmbyll të gjitha obligimet karshi BE-së dhe se do të përmbushë edhe kriterin e fundit, pra atë të 95-të të Komisionit Evropian, duke e miratuar edhe marrëveshjen për shënimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Thaçi po ashtu tha se Serbia duhet të harrojë perspektivën evropiane pa arritur marrëveshje me Kosovën, dhe se edhe Kosova duhet ta harrojë atë dhe liberalizimin e vizave pa e ratifikuar demarkacionin.

“Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet dhe nuk do të shfuqizohet”

Thaçi gjatë fjalimit të tij foli edhe për Gjykatën Speciale, duke e vlerësuar atë si “padrejtësi historike për Kosovën”. “Unë nuk mund të them që ndonjë luftëtar me uniformë nuk e ka cenuar fisnikërinë e luftës për liri dhe pavarësi. Por Kosova të trajtohet kështu nuk e ka meriturar, sepse nuk e ka sulmuar askënd, është mbrojtur përballë gjenocidit të Sllobodan Millosheviçit”, tha ai.

Thaçi shtoi se themelimi i Gjykatës Speciale në vitin 2015 është imponuar mes dy dilemave, “ose të themelimit të kësaj gjykate përmes Këshillit të Sigurimit, ku do të merrte rol Rusia dhe Kina dhe vendet tjera që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ose të themelimit të saj sipas legjislacionit vendor në koordinim me partnerët dhe mbështetësit e pavarësisë së Kosovës, Bashkimin Evropian dhe SHBA-të”. “Në këtë dilemë, unë kam marr orientim, drejtim që të punojmë me partnerët e pavarësisë së Kosovës”, tha ai.

Due theksuar se Kosova dhe UÇK-ja kanë zhvilluar një luftë të drejtë, Thaçi rikujtoi fjalimin e tij në parlamentin e Kosovës gjatë vitit 2015, ku tha se “E themelojmë gjykatën, sepse nuk kemi as pse të frikësohemi, as pse të hezitojmë, e kuptojmë se është e padrejtë, por diçka që duhet të gëlltisim për hirë të partneritetit strategjik me SHBA-të, Bashkimin Evropian dhe NATO-n”.

Ai nënvizoi se “Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet dhe nuk do të shfuqizohet”.

Viti 2018 do të jetë viti i transformimit të FSK-së

Ndërkaq, lidhur me çështjen e transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura, Thaçi tha: “Jemi duke përmbyllur këtë proces në një koordonim me NATO-n dhe partnerët e tjerë. Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë forcë multietnike të standardeve të NATO-s, prandaj vazhdoj të jem i bindur se viti 2018 do të jetë viti i transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button