Në Prishtinë nis zbatimi i masave për mbrojtje nga ndotja e ajrit

Në qytetin e Prishtinës ka nisur të zbatohet vendimi, i cili parasheh një varg masash nga Komuna e Prishtinës për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit.

Sipas vendimit të lëshuar të martën nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është ndaluar shitja e thëngjillit brenda territorit të Prishtinës.

Gjithashtu është ndaluar edhe qarkullimi i të gjitha automjeteve brenda qytetit të Prishtinës nga ora 6 deri në orën 22, përveç atyre të transportit publik, automjeteve emergjente, të policisë, të misioneve diplomatike, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të EULEX-it, inspeksionit, taksive të licencuara.

Zona e ndalimit të qarkullimit brenda qytetit të Prishtinës përfshijnë lagje të tëra në qendrën e qytetit, si dhe rrugët dhe arteriet kryesore që qojnë drejt qendrës së qytetit.

Transporti i udhëtarëve është organizuar pa pagesë, përmes transportit urban. Furnizimi i bizneseve është paraparë të bëhet gjatë natës, prej orës 22 e deri në 6 të mëngjesit.

Tashmë në rrugët e Prishtinës janë angazhuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës për kontrollimin e trafikut dhe patrullat policore janë parë në rrugët që qojnë drejt qendrës së qytetit.

Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë këto masa pas të dhënave të Ambasadës Amerikane në Kosovë, të cilat kanë treguar se vlerat e PM 2.5 janë disa herë jashtë normales.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button