“Ta shpëtojmë Prishtinën”: institucionet të mos neglizhojnë ndotjen enorme të ajrit

Qindra qytetarë, ndër ta edhe aktorë dhe pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile kanë protestuar sot para Teatrit Kombëtar të Kosovës kundër ndotjes së ajrit në kryeqytetin e vendit, Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit me maska në fytyrë dhe me parulla me mbishkrime “Hazardous – rrezikshmëri e lartë”, “U ngulfatëm”,”Ta shpëtojmë Prishtinën” kërkuan që institucionet shtetërore të mos e neglizhojnë situatën me ajrin e ndotur. Përfaqësuesi i protestuesve, Vullnet Krasniqi nga shoqëria civile duke iu drejtuar masës tha se ata janë mbledhur për të protestuar lidhur me një gjë elementare, pra për ajrin.

Krasniqi në emër të protestuesve kërkoi nga përfaqësuesit shtetërorë që t’i penalizojnë ata të cilët nuk i zbatojnë ligjet për mbrojtjen e mjedisit. Ai tha se politikanët e vendit kanë bërë ligje të cilat nuk i kanë zbatuar ndërsa nënvizoi se qytetarët po ngulfaten nga ajri i ndotur.

“Është mjaft! Nuk duam të ju dëgjojmë duke folur. Ju kemi dëgjuar që 17 vite. Tashmë duam ajër të pastër”, tha Krasniqi.

Më pas masa e tubuar marshoi në drejtim të Kuvendit të Kosovës, ku dorëzuan parullat e tyre tek hyrja e Kuvendit me qëllim që t’i përcjellin mesazhet në parulla tek deputetët dhe ministrat të cilët do të mbajnë një seancë të jashtëzakonshme në Kuvend.

Pjesë e protestës ishte edhe trajneri i Klubit Çiklistik “Prishtina”, Rexhep Baliu i cili në një prononcim për AA tha se si biçiklist dhe si qytetar i Prishtinës është i kënaqur që është pjesë e kësaj proteste e cila ka për qëllim mbrojten e ajrit.

“Faktori njeri është ai i cili e ndotë ambientin. Nëse ne kujdesemi pak për natyrën atëherë kujdesemi pak për vetveten sepse natyra është jetë. Kisha thënë që të zvogëlohet numri i automjeteve pastaj të rregullohen shtigjet për çiklistë në mënyrë që të kemi siguri më të madhe për ta përdorë biçikletën”, tha Baliu.

Kujtojmë se kryeqyteti i Kosovës, Prishtina ditëve të fundit është në gjendje alarmante si pasojë e ndotjes së ajrit. Në lidhje me këtë gjendje Qeveria e Kosovës me kërkesën e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka ndërmarrë themelimin e një Task Force ndërministrore të udhëhequr nga kjo ministri dhe ka kërkuar nga të gjithë aktorët që të ndërmarrin masa në fushën e tyre të përgjegjësive për të përmirësuar nivelin e pastërtisë së ajrit.

Ndërkaq, Komuna e Prishtinës me një vendim të publikuar dje ka bërë të ditur masat parandaluese për uljen e ndotjes së ajrit. Komuna që nga sot ka filluar të ndalojë hyrjen e automjeteve në qytet si dhe shitjen e thëngjillit.

Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme ku në rend të ditës është debati lidhur me ndotjen alarmante të ajrit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button