Nuset e mitura të Kosovës

Tradita e martesave të hershme tek komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas (RAE), nuk ka pësuar ndryshime. Vajzat e tyre ende martohen të mitura, si nënat dhe gjyshet. Kur fëmijët lindin fëmijë, sfidat janë të mëdha.

Edhe pse sapo kanë kaluar të ‘40-tat, Gëzimi dhe Sulltanja, egjiptasë, kanë 25 vjet martesë dhe pesë fëmijë. Katër prej tyre i kanë martuar në moshën 15-16 vjeçare, ndërsa tashmë janë gjyshër të 7 nipave dhe mbesave. Edhe ata u fejuan sapo morën në dorë Abetaren. Bashkë me shkronjat e para mësuan se të tjerët kishin marrë për ta vendimin më të rëndësishëm në jetë.

“Jam feju 7 vjeç, kur s´kam dit as çka asht fejesa”, thotë Gëzim Pallulli për DW.

Bashkëshortja e Gëzimit, Sulltanja, rrëfen po të njëjtën histori.

“M´kanë feju 7 vjet e m´kanë martu me 15 vjet”, thotë ajo. “Shtatzënë fill jam mbet. Me 16 vjet ma ka fal Zoti djalin. I kemi pesë fëmijë – tri çika e një djalë i kemi martu. Tash i kam 41 vjet dhe jam gjyshe e katër nipave e tri mbesave”.

Martesa, si një vendim i rëndësishëm në jetë, në familjet RAE nuk ka pësuar ndryshime me kalimin e kohës. Vajzat martohen të mitura, si nënat dhe gjyshet e tyre. Dhe kur fëmija lindë fëmijë, sfidat të cilat do t´i përcjellin gjithë jetën janë të vetëkuptueshme.

“Kemi has edhe nuse 12-13 vjeçare dhe rrallëherë mbi moshën e 18-të. Në këtë moshë vajza e mitur vihet në pozitë shumë të rëndë, e papërgatitur për sfidat e bashkëshortësisë, e sidomos të shtatzënisë dhe edukimit të fëmijëve”, thotë sociologia Vaxhide Sopjani

Martesat e hershme në familjet e komuniteteve RAE janë traditë e cila vazhdon të bartet nëpër breza. Këtë e dëshmon edhe Hyrë Rama, 68 vjeçare, e cila u martua po ashtu e mitur.

“Jam martu 16 vjet. Burrin e kam pas 15 vjet para vetes. Nuk e kam njoftë, se nana m´ka dhanë”.

Njësoj ndodhi edhe me të nipin Shkëlzenin, tash 52 vjeçar, i cili mëngjeseve për në shkollë zgjohej nga shtrati i martesës.

“M´kanë martu 15 vjeçar… Aty kthesë s´ka pas, se e merrshe n´qafë robin e huj. Tash i kam 7 fëmijë dhe jam i lumtur në martesë“, thotë Shkëlzeni.

Tradita e martesave të hershme dhe të aranzhuara të komunitetit RAE, bën që të zvogëlohet mundësia e shkollimit dhe edukimit të mirëfilltë të brezave të rinj. Ndërsa, arsyet për lidhje martesash mbesin të njëjta, si dikur.

Edhe familja e Gëzimit është ndër ato familje, të cilat janë mbajtur fort pas traditës, duke i martuar fëmijët, ashtu si vepruan paraardhësit nëpër breza:

“Unë i kam ruajt traditat dhe s´kam pas qejf me m´shku rrugëve t´kqija. Si e kanë kry shkollën i kam çu te burrat e vet. Asnjërin nuk e kam martu pa pyet. Të tria i kam në tri shtete t´Evropës dhe të gjitha e kanë jetën ma t´mirë se te unë”, arsyetohet Gëzimi.

E njëjta ndodhi edhe me Binakun, djalin e vetëm të kësaj familjeje, i cili u martua në moshën 16-të vjeçare, me nusen një vit më të re e me të cilën ka dy fëmijë.

Por, kjo familje tradicionale egjiptase ka vendosur të nisë një udhë të re. Edona 13 vjeçare ka forcën për të sfiduar fatin dhe guximin për një jetë më ndryshe dhe të ardhme më të mirë. Ajo mendon se duke ruajtur vlerat tradiconale mund të përqafohen ato bashkëkohore.

“Nuk martohem herët në asnjë mënyre. Në pajtim me prindërit do të vazhdoj shkollimin. Martesa, pas diplomimit ne fakultet. Kismet”!/telegrafi

 

Lajme të ngjashme

Back to top button