Dibër – Mërgimtarët të vetmit që investojnë në sferën e ndërtimtarisë

Sipas pronarëve të disa nga depot për material të ndërtimit në Dibër, interesimi për ndërtime edhe sivjet është mesatar, dhe këta investime do t’i bëjnë mërgimtarët tanë të cilët jetojnë dhe punojnë në SHBA, dhe në disa shtete të tjera të Unionit Europian.

Sipas informatave edhe të institucioneve kompetente në sferën e urbanizmit dhe ndërtimtarisë ka mërgimtarë të cilët kanë marrë dokumentacione për ndërtime të reja. Viteve të fundit dukshëm është zmadhuar numri i mërgimtarëve dibran të cilët kanë filluar të blejnë banesa, të blejnë shtëpi, por edhe të investojnë në ndërtimin e banesave kolektive. Bëhet fjalë për mërgimtarë të cilët punojnë jashtë vendit, mbi 20 vite, dhe të cilët tani para pensionimit kanë vendosur që moshën e tretë ta kalojnë në vendlindje. Po ashtu, blerja e banesave dhe shtëpive individuale ka të bëjë edhe me nevojën e familjeve të tyre meqë gjatë pushimeve verore një pjesë e madhe e familjeve të mërgimtarëve qëndrojnë në vendlindje.

Përndryshe kur bëhet fjalë për investime në sferën e ndërtimtarisë të rrallë janë dibranët të cilët ndërtojnë duke marrë parasysh situatën ekonomike në vend. Kur bëhet fjalë për aktivitete në sferën e ndërtimtarisë, ata kryesisht investojnë në sanime dhe rekonstruime të shtëpive apo banesave që posedojnë.

Nga ana tjetër, tregtarët të cilët tregtojnë materiale ndërtimi dhe sanitarie, thonë se viteve të fundit mbi 90 përqind të qarkullimit në depot dhe sallonet shitëse të tyre e bëjnë mërgimtarët. Pa prezencën e investimeve të mërgimtarëve në sferën e ndërtimtarisë, nuk mund të ekzistojmë edhe ne thonë tregtarët të materialeve ndërtimore. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button