Delawie: Ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale në Kosovë, ide e tmerrshme

Ambasadori amerikan, Greg Delawie ka reaguar përmes një postimi në Twitter lidhur me deklaratat që po qarkullojnë në vend për Gjykatën Speciale.

Një ide të tillë Delawie e ka cilësuar ide të tmerrshme, transmeton REL.

“Ideja për ta ndryshuar ligjin për Gjykatën Speciale mund ta izolojë Kosovën globalisht. Ide e tmerrshme. Mos e ktheni orën mbrapa”, ka thënë ai.

Deklaratat e ambasadorit kanë ardhur pas njoftimeve të fundit se mund të thirret seancë për mbledhjen e nënshkrimeve për shuqizimin e këtij ligji.

Ditë më parë me iniciativën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumë qytetarë, por edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së kanë nisur të nënshkruajnë një peticion ku kërkohet ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.

Veteranët kërkojnë që me ndryshimet e ligjit, Gjykata Speciale të merret edhe me krimet që serbët i kanë bërë në Kosovë gjatë luftës. Sipas tyre, versioni i tashëm i ligjit obligon gjykatën të merret vetëm me të dyshuar të etnisë shqiptare.

Pas mbledhjes së 10 mijë nënshkrimeve, drejtuesit e organizatave të dala nga lufta kanë thënë se peticionin do t’ia dorëzojnë kryeparlamentarit dhe kryesisë së Kuvendit.
Ende nuk ka datë të saktë se kur mund të lëshohen aktakuzat e para nga Gjykata Speciale, mirëpo zyrtarë kosovarë kanë bërë me dije se një gjë e tillë mund të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button