FEMRA SI MENDIMTARE

Duke qenë se në jetën e përditshme kam rastisur në njerëz që i kanë personalizuar shkrimet e mia dhe i kanë zbritur në nivel individual, jo në nivel të fenomenit që është trajtuar në përgjithësi, unë ndjej obligim moral që të jap disa sqarime rreth qëllimit themelor të shkrimeve të mia.

Synimi parimor në shkrimet e mia të fundit ka qenë analiza subjektive e psikologjisë femërore në tërësi, për të identifikuar mendësinë e mbrapshtë kundrejt dukurive shoqërore dhe qasjes së gabuar në raportet ndërfemërore. Për më shumë, ndjej keqardhje kur shkrimet e mia keqkuptohem, ose keqinterpretohen, dhe ideja që unë përpiqem ta përcjell tek lexuesi nxirret jashtë kontekstit të duhur, herë me qëllim e herë pa qëllim. Sidoqoftë, unë nuk shkruaj për të ofenduar ose konkuruar me femrat tjera, as nuk shkruaj për të arritur efektin e thënies popullore “bjeri samarit, që t’i kujtohet gomarit”, por unë shkruaj për të thyer një tabu tjetër shoqëror, atë ku femra shqiptare ende paragjykohet, keqkuptohet, përfolet, etiketohet dhe dekurajohet, vetëm pse ka guxuar të shprehet lirshëm dhe hapur.

Në këtë drejtim, mbi femrën që di të mendojë dhe shkruaj ende ushtrohet një presion i llojit të shekullit të kaluar, herë i hapur e herë i maskuar, nga një grup paragjykuesish shoqërorë, të cilët janë të prirur ta dënojnë moralisht dhe shpirtërisht femrën që di të mendojë, logjikojë, analizojë, gjykojë dhe vlerësojë jashtë kornizave të zakonshme të një mendësie të caktuar shoqërore, ose jashtë shablloneve konvencionale që i janë imponuar historikisht në rrethana patriarkale, me një dozë të theksuar prapambeturie.

Në veçanti, kur po e njëjta femër guxon që mendimet e saja t’i plasojë në një treg më të gjërë lexueshmërie, siç janë portalet dhe rrjetet sociale, ajo edhe më shumë paragjykohet, linçohet dhe konsiderohet si një mendimtare e sforcuar, që frymëzohet nga dikush, imiton dikë, se ndryshe s’ka mundësi që ajo të ketë dëshirë, vullnet të brendshëm dhe përgatitje intelektuale, për të shkruar dhe për të ndryshuar strukturën e një mendësie të kufizuar të botëkuptimeve femërore. Si rrjedhojë, po t’i analizosh gjithë portalet në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri, do të kuptosh që femra paraqitet si mendimtare, ose opinioniste, mesatarisht një herë në çdo 50 opinionistë meshkuj, edhe atë, viteve të fundit, por nëse do t’i konsiderojmë vitet më parë, numri i femrave opinioniste ka qenë shumë më i ulët se sa që është tash.

Pse ndodh kjo? Kush i dekurajon femrat të mendojnë dhe shprehen hapur? Pse frikësohen këto femra t’i shprehin këndvështrimet e tyre publikisht? Mos vallë druajnë se do të hasin në kundërshtime të ashpra, ose brengosen mos humbin simpatinë e publikut? Mbase tmerrohen nga ideja se mund të etiketohen dhe shpallen si jokonvencionale për shoqërinë aktuale.

Pavarësisht këtyre dilemave, një grua ka shumë për të thënë në raport me vendosjen e rendit shoqëror në çdo sferë jetësore dhe përpjekja e saj për të kontribuuar përmes ideve, nuk duhet të merret me skepticizëm, ose si një përpjekje e parëndësishme dhe joserioze, por duhet të inkurajohet dhe t’i jepet mundësia për afirmim. Kur them afirmim, nuk nënkuptoj që t’i jepet famë dhe vëmendje e kotë, por t’i afirmohen idetë e shëndosha, pra, ato ide që ndikojnë dhe prekin jetë njerëzish në nevojë, inicojnë ndryshim përparimtar dhe përmirësojnë ecuritë shoqërore.

Koha në të cilën ne jetojmë, duhet të jetë koha e gatishmërisë, për të përkrahur femrën si mendimtare dhe për t’i dhënë asaj mundësinë që të shfaqet në kushte dhe rrethana, ku idetë e saja do të kenë ndikim të vërtetë dhe konstruktiv shoqëror. Pra, femra shqiptare në Maqedoni duhet të guxojë dhe mendojë zëshëm, edhe pse fillimisht mund të nëpërkëmbet dhe gjykohet nga shoqëria, por një ditë ajo do të triumfojë dhe do të njihet si mendimtare, ashtu siç njihet Adrienne Rich, një shkrimtare dhe feministe amerikane e shekullit 20, e cila edhe pse u përball me sfida të ndryshme përderisa përpiqej të formësojë identitetin femëror të asaj kohe, megjithatë, ajo nuk lejoi që shoqëria t’ia ngulfasë mendimet dhe t’ia ndrydh kreativitetin në shkrimet filozofike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button