Jorgani i kishte vjedhur dritën

Mëngjesi ishte më i ftohtë se zakonisht, ndaj pa dijeninë e tij, kishte fjetur më gjatë se ditët e tjera atë mes dhjetori. Teksa nxori krahët nga jorgani i ngrohtë, ambienti i ftohtë i dhomës iu kthye në bumerang dhe për një moment mbuloi edhe kokën. Mjaftuan dy minuta, ashtu në terr, por zgjuar, që në mendjen e tij të vërtiteshin mijëra mendime. Shpesh, dy minuta janë dy mijë vjet dhe dy mijë vjet, vetëm dy minuta.

Vërtitej pa busull në pyllin e mendimeve të kotësisë së tij, deri sa u përhumb i tëri në boshllëkun e kësaj botë.

Sa më shumë thellohej, aq më shumë zhytej, sa më shumë zhytej, aq më shumë përhumbej. Kishte depërtuar në skutat më të thella të shpirtit, aty ku gjen lavdi, por edhe tmerr.

Varet kë kërkon, varët drejt kujt rend, duke ngazëllyer drejt dritës, apo duke u dridhur drejt territ. Ti merr çfarë zgjedh, dëgjoi t’i përshpërinte dikush në vesh.

Teksa ishte përhumbur i tëri, zilja e telefonit e nxori nga ajo situatë e çuditshme. Dukej sikur kishte një jetë i burgosur brenda atij jorgani të purpurt me ca vija të holla, që dukej sikur drejtoheshin drejt përjetësisë. U ngrit ashtu nxitimthi, teksa mendja i ishte bërë lëmsh. Teksa lante fytyrën, nga dritarja e vogël, një rreze flakëruese e diellit, i depërtoi drejt e në sy.

Nuk ishte dritë e zakonshme. Edhe pse në dhjetor, ishte më e forte se rrezet e diellit që bien pingul në korrik. E kuptoi se shndrinte aq fort, pasi, teksa shihte vetën në pasqyrë, edhe pse e bënte shumë rrallë, pa një fytyrë të qeshur, të çliruar nga mendimet e ndrydhura, që ngazëllente gjithë gëzim, edhe pse e mavijosur nga jastëku.

Ç’ është kjo dritë, mendoi?

Ashtu, gëzueshëm, pa hedhur gjë mbi supe, doli ta ndjente direkt mbi sy. Se sytë që mbyllen nga gëzimi, i thonë të gjitha. Rrezet e ngrohta ia drejtuan supet e mbledhura e trupin e tkurrur, pa dijeninë e tij. Ndenji një copë herë ashtu, me sytë të mbyllur dhe me krahët që i shtrinte natyrshëm.

U përhumb sërish.

Teksa mendonte, arsyetonte se mendimet nuk janë të tilla nëse nuk të përhumbin. Çastet, nëse nuk ndihen, janë raste të shkuara dëm. Sa shumë kishte humbur, por sa shumë kishte për të fituar që ta mposhte humbjen. Drita fiton gjithmonë. Pyeste dhe gjente përgjigje që e kishin munduar prej kohësh.

Habi. Mjafton një sekondë për të marrë të vërtetën, ndërsa çojmë dëm një jetë duke jetuar të pavërtetën. Mjafton një sekondë për të marrë ushqimin e përjetësisë, por një jetë e tërë nuk na mjafton për të dalë nga robëria.

Bash në kohën kur po gëzonte, një re pa ujë, si ato që vërtiten në qiell kot, por që ta vjedhin dritën, u mblodh rreth ballit të tij dhe ia tendosi rrudhat. Iu kujtua jorgani i purpurt. Ai, fort i dashuri i tij, iu kthye në objekt të urryer.

Jorgani i purpurt i kishte vjedhur rrezet e diellit. Teksa dashuria e vërtetë ndodhej diku tjetër, ai ishte mbështjellë fort, pas dashurisë së kotë të kësaj botë. Kishte qëndruar në hije, teksa drita e përjetshme ishte aty, ekzaktësisht për të.

Jorgani i kishte vjedhur dritën. Nuk i hiqej nga mendja. Jorgani më kishte vjedhur dritën, murmuriste me vete.

Habi. Mjafton një jorgan për të vjedhur dritën e përjetshme. Dritë që shndrit përjetë.

Drita e Krishtlindjes që po vjen, e kishte zgjuar, ia kishte shtendosur zemrën.

Tash veç ngazëllente.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button