Shuhen bastionet mediatike të Nikolla Gruevskit

Financimi i mediave është njëra nga procedurat parahetimore të cilën e ka hapur Prokuroria Speciale Publike (PSP). Prokurorja speciale Katica Janeva me ekipin e saj hetojnë se sa para janë ndarë në mediat e afërta me pushtetin paraprak. Një pjesë e parave kanë ardhur nga Qeveria si reklama, por kanë dhënë edhe komunat, si dhe ndërmarrjet e afërta me pushtetin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Në llogari të televizioneve janë dërguar me miliona euro, para me të cilat u pagua propaganda e VMRO-DPMNE-së. Kur u rrëzua Nikolla Gruevski, filloi të rrëzohet edhe një pjesë e televizioneve. Tanimë nuk ka reklama, nuk ka para për të të punësuarit, ndërkaq disa prej tyre i numërojnë ditët deri në shuarje, njofton Portalb.mk.

Mbrëmë në mesnatë ka skaduar afati për dy televizioni rajonale, të cilët nëse nuk vazhdojnë që të transmetojnë program do të fillojë procedura për marrjen e lejes  së tyre për punë. Bëhet fjalë për HDTV Mega, e cila shikohet në Manastir, Prilep, Krushevë, Demir Hisar, Resnjë, Kërçovë, por edhe HDTV Kanal Plus i cili transmetohet në territorin e SHtipit, Koçanit, Probishtipit, Makedonska Kamenica, Dellçevë, Berovë dhe Vinicë. Këto dy televizione përpara një muaji, gjegjësisht më 17 nëntor, ishin të kyçura në rrjetin e One.Vip, nëpërmjet të cilës transmetonin program për shkak të mospagimit të borxhit ndaj operatorit telekomunikativ.

HDTV Mega dhe HDTV Kanal Plus janë në pronësi të njëjtit pronar, shkupjanit Goran Mitev. Përpara mbylljes është edhe televizioni rajonal TV O2 e cila transmeton program në territorin e Ohrit dhe Strugës dhe është në pronësi të shkupjanit Dragan Mitkovskit.

Këto televizioni kanë filluar me punë në fund të vitit 2014. Për tre vjet kanë përfituar të ardhura prej disa milionave euro, ndërkaq me rrëzimin nga pushteti të VMRO-DPMNE-së, është e paqartë mbijetesa e tyre.

Nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale për NOVA TV, thonë se nëse vazhdojnë të mos transmetojnë program, prej sot fillon procedura për marrjen e lejes për punë. Afatin plotësues të cilin e marrin pronarët që ta paguajnë kompensimin ndaj One.Vip është me vlerë prej 20.000 euro për një licencë është 15 ditë. Nëse edhe deri atëherë nuk i paguajnë obligimet, këto televizione rajonale do të shuhen.

6 televizionet janë blerë në të njëjtën ditë

Gjashtë televizione rajonale në vitin 2013 janë blerë në të njëjtën ditë nga tre biznesmenë. Tre ndërmarrjet të cilat i kanë blerë televizionet janë themeluar në të njëjtën ditë, më 17 maj të vitit 2013, ndërkaq gjashtë televizionet janë blerë në të njëjtën ditë, më 28 maj të vitit 2013, transmeton Portalb.mk.

Goran Mitev, për 36.000 euro e ka blerë TV Boem dhe TV D1, të cilat më pas riemërohen në HDTV dhe HDTV Kanal Plus. Mitev nga vitit 2009 deri në vitin 2012 ka punuar në Lotarinë Shtetërore. Prej atje është larguar për të shkuar në pozitën e drejtorit ekzekutiv të Klubit Futbollistik Vardar, ku ka ngelur deri në shkurt të vitit 2014. Mitev ishte edhe drejtor i shkollave rinore në Klubin Fudbollistik “Vardar”.

Pronari i dytë është Emil Parnaçiski, i cili për 35.000 euro e ka blerë Kanal 3 Dibër dhe TV VTV Vallandovë. Televizionin e dytë, gjegjësisht TV VTV Vallandovë e riemëron me emrin Telekanal A1. Parnaçiski është i punësuar në kompaninë shtetërore për energji elektrike MEPSO.

Nezavisna TV, tani TV O2, dhe kanalin tetovar Menata TV i ka blerë Dragan Mitkovski për 47.000 euro. Dragan Mitkovski është themelues i zyrës së kontabilitetit “Mitkovski MM” dhe nënkryetar aktual i Aleancës së Odave Ekonomike. Ai ka qenë nënkryetar i Klubit Futbollistik Maqedonia Gjorçe Petrov, ndërkaq ka qenë kryetar i Komisionit për Çështje Financiare në Federatën Futbollistike të Maqedonisë (FFM)

Reklama qeveritare dhe para nga partnerët e biznesit të VMRO-DPMNE-së

Sipas të dhënave zyrtare në ueb-faqen e internetit të Agjencisë për SHërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, Televizioni HDTV Mega në vitin 2014, 2015 dhe 2016 ka pasur të ardhura prej 1.000.071 euro. Fillimi zyrtar i televizionit është më 13 dhjetor të vitit 2014, vetëm 18 ditë përpara mbarimit të vitit, ndërkaq menjëherë ka treguar se ka arritur të ardhura prej 442.000 euro. Në vitin 2015 Mega ka përfituar 366.000 euro, ndërkaq vjet 263.000 euro, përcjellë Portalb.mk.

Pronari Goran Mitev e ka edhe HTDTV Kanal Plus, ndërkaq ai televizion për tre vjet ka arritur të mbledh të ardhura prej 894.000 euro.

Gjegjësisht, Mitev nga dy televizionet ka mbledhur të ardhura 1.965.000 euro.

foom-logo-disklejmerKy tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Observatori i reformave mediatike”, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”, “Agora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button