Kryetari i Komitetit parlamentar serb për Kosovë, Drecun: Interpoli nuk e ka heqë fletarrestin për Haradinajn

Edhe pse tashmë është konfirmuar edhe nga Interpoli për heqjen e fletarrestit për kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në Serbi e thonë të kundërtën dhe ende vazhdojnë reagimet rreth kësaj.

Kryetari i Komitetit parlamentar serb për Kosovë, Milovan Drecun ka deklaruar mbrëmë se Interpoli nuk e ka heqë fletarrestin për Haradinajn.

Sipas tij, Interpoli fletarrestin për Haradinajn “e ka bërë të padukshme për vendet tjera, përveç Serbisë”, transmeton lajmi.net.

“Fletarresti është bërë i padukshëm, që do të thotë se Haradinaj mund të shkojë në Francë apo në ndonjë vend tjetër dhe askush nuk e ndalin, por nëse vije në territorin e Serbisë, sigurisht se nuk do të jetë ashtu”, ka thënë Drecun dhe ka shtuar se nuk mund t’i ik përfundimit se vendimi i Interpolit është politik.

Sipas tij, vendimi “frikshëm kthen mbrapa” dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës që po zhvillohet në Bruksel, pasi që pas këtij vendimi nuk mund të flitet për pajtim.

“Ky vendim është i dëmshëm dhe tregon që nuk mund të arrihet drejtësia, me këtë vendim diskriminohen viktimat, por edhe shteti i Serbisë të cilit nuk i është mundësuar implementimi i drejtësisë”, ka thënë Drecun.

Ministria serbe e Punëve të Brendshme ka paralajmëruar ankesë në vendimin e Interpolit që fletarresti i lëshuar nga Serbia për Ramush Haradinajn dhe 17 persona tjera të shfuqizohet.

Lajmin për heqjen e fletarrestimeve për Haradinajn dhe për 17 persona tjerë nga Kosova e ka konfirmuar edhe ministri kosovar i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button