Ndryshimi i temperaturave, si të mbroni fëmijët nga virozat e stinës

Gjatë ditëve të fundit janë vënë re ndryshime të shpeshta të temperaturës, çka bën që të gjithë të jenë të rrezikuar për t’u prekur nga virozat e stinës, por kryesisht fëmijët. Është shumë e rëndësishme që, në momentin e parë të shfaqjes së shenjave, kujdesi të bëhet nga prindërit në kushte shtëpie dhe më pas fëmija të dërgohet në mjeku. Përgjithësisht ndërlikimet e shfaqura janë ato të bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes, temperaturë e lartë, të vjella apo dhimbje të forta koka. Në momentin që fëmija preket nga viroza duhet një mjekim simptomantik, që në varësi të shenjave të bëhet edhe mjekimi. Trajtimi i këtyre virozave ndryshon në varësi të veçorive individuale të pacientëve të vegjël. Megjithatë, prindërit duhet të tregojnë shumë kujdes në mos mbajtjen e fëmijëve në ambiente të mbyllura, sepse kështu rrezikojnë të përforcojnë sëmundjen më shumë. Gjithashtu është e nevojshme që të konsumohen sa më shumë lëngje frutash me përbërje vitaminash të ndryshme. Është për t’u theksuar që shfaqja e këtyre simptomave është e ndryshme nga njëri individ tek tjetri dhe moshat më të rriskuara janë fëmijët nga 2 deri në 6 vjeç.

Cilat janë shenjat e para të shfaqjes së virozave tek fëmijët?

Shenjat e shfaqjes së virozave konsistojnë në: sekrecione nga hundët, temperaturë të lartë, kollë dhe mungesë oreksi. Në rastin e virusit të gripit, shfaqen edhe dhimbje koke, dhimbje trupi, gjendje këputjeje trupore , diarre, të vjella dhe ndonjëherë edhe dhimbje gjoksi, ndërsa në rastin e fëmijëve të vegjël (nën 2 vjeç) mund të shfaqen shenjat e pamjaftueshmërisë respiratore si p.sh. frymëmarrje e vështirësuar , e shpeshtë me lëvizjen e flegrave të hundës dhe nxirje përreth buzëve.

Cili është mjekimi në mjete rrethanore për një fëmijë në gradën e parë të marrjes së virozës? Infeksionet virale, përgjithësisht janë të lehta dhe vetë-kufizohen. Mjekimi është simptomatik dhe konsiston në përdorimin e barnave anti-inflamatore josteroide si: Paracetamol apo Ibuprofen, pasi kanë efekt në uljen e temperaturës, por edhe reduktimin e dhembjeve, sipas dozave dhe intervaleve të përcaktuara në nivele të temperaturës mbi 38.5 gradë. Prindërit duhet të kuptojnë që rritja e temperaturës së trupit gjatë një infeksioni viral ka aftësi që të luftojë të ashtë-quajturit viruse termolabël (të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta,) kështu që duhet të kufizojnë dhënien e paracetamolit/ibuprofenit nën këtë temperaturë. Prindërit nuk duhet ta mjekojnë fëmijën asnjëherë me aspirinë. Gjithashtu, këshillohet përdorimi i solucioneve me pika në hundë, përdorim i shumtë i lëngjeve (ujë apo lëngje frutash të shtrydhura në shtëpi) dhe regjim shtrati. Për fëmijët nën 2 vjeç nuk rekomandohen barnat për kollën apo ilaçet e ashtë-quajtur “antigrip”. Nëse shenjat dhe simptomat shtohen apo kemi përkeqësim të shpejtë të kuadrit klinik është e detyrueshme vizita tek mjeku , sepse në raste të tilla virozat mund të komplikohen.

Si të parandalojmë gripin përmes ushqimit

Gripi mund të shkaktojë probleme serioze në shëndetin publik dhe në ekonomi. Në vendet e zhvilluara, epidemitë mund të rezultojnë në nivele të larta të mungesave të punonjësve dhe të rënies së produktivitetit. Në shumë komunitete, klinikat dhe spitalet mund të hasin probleme kur mbi popullohen nga një numër i madh pacientësh gjatë periudhave të shpeshta të sëmundjeve. Me kalimin e moshës, çdokush mëson se si të marrë masa mbrojtëse ndaj të ftohtit, apo viruseve të ndryshme gripale të stinës. Një nga këto masa mbrojtëse është larja e vazhdueshme dhe e shpeshtë e duarve dhe mbi të gjitha mosprekja e hundës, sepse gishtat mund të ndoten lehtësisht nga viruset dhe t’i transmetojnë ato po lehtësisht nga një person te tjetri. Kur sapo ke marrë në duar ndonjë virus dhe prek hundën, atëherë nis infektimi që kalon shumë shpejt edhe në zonën e syve. Larja e herëpashershme e duarve mund të shmangë deri në një shkallë të caktuar përhapjen e viruseve brenda familjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button