Safet Kadrii “mban peng” informatën e Gjykatës së Apelit për rastin “Monstra”

Askush nga Gjykata e Apelit nuk mund të japë përgjigje se deri ku është procedura e dërgimit të vendimit të Këshillit Penal të Gjykatës Supreme për rigjykim të rastit “Monstra”, pasi që shefi i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun, Safet Kadrii, ka dy ditë që është jashtë shtetit, njofton Portalb.mk.

“Jam ende në Turqi, për atë s’mund ta hap telefonin dhe s’mund të përgjgijem”, tha shkurt për Portalb.mk, Kadrii.

Sipas procedurës, vendimi i Gjykatës Supreme për ri-gjykim të rastit “Monstra” duhet të shkojë në Gjykatën Penale nëpërmjet Gjykatës së Apelit, që Këshilli Penal i shkallës së parë të vendos nëse do të lirohen të dënuarit e “Monstrës”.

Megjithatë, gjithçka është bllokuar te Gjykata e Apelit, Kadrii ka dy ditë që është në udhëtim jashtë shtetit, ndërkaq askush nga Gjykata e Apelit nuk di të japë një përgjigje se deri ku është procedura.

“Nuk e di, s’jam kompetente për këtë, duhet të flisni me Zyrën për Marrëdhënie me Publikun”, deklarohet sekretarja e Gjykatës së Apelit për Portalb.mk, ndërkaq në pyetjen se a ka zëvendës, ata thonë jo.

Kadrii, të hënën për Portalb.mk e konfirmoi se lënda e “Monstrës” momentalisht ndodhet në Gjykatën e Apelit, ndërkaq pritet që gjatë këtyre ditëve të dorëzohet te Gjykata Penale për procedurën e mëtutjeshme, megjithatë deri më tani, nuk ka asnjë informatë për këtë të fundit, ndërkaq ai nuk është i kapshëm për të na treguar se pse më shumë se 4 ditë pas vendimit të Gjykatës Supreme, lënda është bllokuar në Apel.

Kush është Safet Kadrii?

Në vitin 2011 për herë të parë është zgjedhur gjykatës në Gjykatën e Apelit të Shkupit.

Përpara se të bëhet gjykatës, ai ka qenë sekretar i kooperativës bujqësore “Bratsvo” në Zhelinë, drejtor i Shoqatës me Përgjegjësi të Kufizuara “Agrostrimnica” Tetovë, ndihmësdrejtor në Zyrën për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta në Qeverinë e Maqedonisë, sekretar shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë, këshilltar shtetëror në Gjykatën Kushtetuese, prej ku është zgjedhur si gjykatës në vitin 2009.

Në një shkrim të javores “Fokus”, emri i Kadriit përmendet ndër emrat partiak, të cilët BDI i ka emëruar në gjykata.

Emri i Kadriit u gjet edhe në listën e organizatës “Llupa e Gjelbër”, të cilët kërkonin të konstatohet përgjegjësia e gjykatësve të cilët kanë vendosur për paraburgimin, gjegjësisht mosparaburgimin e dy agjentëve të arratisur në Greqi, Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkovski, duke cilësuar se e kanë shkelur ligjin, gjegësisht e kanë keqpërdorur detyrën dhe autorizimin zyrtar.

Sipas akuzave të “Llupës së Gjelbër”, Gjykata e Apelit u ka dhënë një javë ditë që të akuzuarit Grujovski dhe Boshkovski të kenë mundësi që të mos jenë në shtëpi kur Policia do t’i kërkojë që t’i dërgojë në paraburgim. 8 ditë ata nuk u paraburgosën, edhe pse ligji për procedurë penale shkruan se pas shqiptimit të masës ata menjëherë duhet të arrestohen, pa zvarritje. Gjykata e Apelit ka bërë presedan dhe për dallim nga rastet e tjera me shqiptimin të masës së kujdesit, nuk ka dërguar urdhër në MPB që menjëherë të tre personat të arrestohen dhe të dërgohen në Burgun e Shutkës, por i ka udhëzuar që të drejtohen te Gjykata Supreme.

Rasti “Monstra”

Të premten Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë e ka miratuar vendimin për lëndën e rastit “Monstra”, me të cilën ankesat e palës mbrojtëse janë pranuar, ndërkaq aktvendimet e shkallës së parë dhe të dytë janë shfuqizuar, dhe lënda është kthyer në rigjykim të shkallës së parë.

Pranimi i kërkesës së Prokurorisë nga Gjykata Supreme, gjegjësisht rikthimin e lëndës “Monstra” që nga fillimi, nënkupton që Prokuroria që nga fillimi duhet të kërkojë masa për rastin në fjalë, ndërkaq njëri nga opsionet është e mundshme që personat e akuzuar të lirohen, pasi që janë shfuqizohuar vendimet e shkallës së parë dhe të dytë, dhe kjo nënkupton që nuk ka akuzë dhe nuk ka për çfarë të jenë në burg, transmeton Portalb.mk.

Në rastin “Monstra” Halil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës.

LEXO NË LIDHJE ME TEMËN:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button