Kosovë, Haradinaj: Transformimi i FSK-së, garancë për sigurinë e Kosovës dhe rajonit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) është proces që garanton sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, gjitha komuniteteve, si dhe kontribuon në sigurinë rajonale.

“Në prag të “Ditës së Forcës”, Qeveria e Republikës së Kosovës është e bindur dhe krenare për arritjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Rruga e ndjekur e institucionit dhe pjesëtarëve të FSK-së është rrugë e bazuar në përkushtim, sakrificë dhe ndershmëri. Sot, FSK është profesionale, multi-etnike, si dhe e trajnuar mbi standardet dhe parimet demokratike të forcave të sigurisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, transmeton Koha.net.

Ai ka shtuar se, “transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) është proces që garanton sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, gjitha komuniteteve, si dhe kontribuon në sigurinë rajonale”.

Haradinaj gjithashtu ka shkruar edhe sa u përket numrit të komuniteteve në FSK, për të cilin thotë se do të rritet në të ardhmen.

“Procesi do të jetë një sukses i garantuar dhe i sigurt, me përfshirje maksimale të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Suksesi në integrimin e komuniteteve jo-shumicë në FSK është plotësisht i dukshëm: në total, 10.07 për qind e pjesëtarëve të FSK-së janë nga komunitetet jo-shumicë, ndërsa nga komuniteti serb janë 4.2 për qind e pjesëtarëve të FSK-së. Forcat e Armatosura të Kosovës do të kenë këtë mënyrë të përfshirjes së komuniteteve, me synimin e rritjes së numrit të tyre”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thënë se do të intensifikohen përpjekjet për të arritur transformimin e FSK-së në FAK.

“Në periudhën në vijim, do të intensifikojmë përpjekjet gjithëpërfshirëse për të arritur transformimin në Forca të Armatosura. I uroj pjesëtarët e FSK-së dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për “Ditën e Forcës”, duke qenë i bindur se Kosova do të thellojë kontributin e vet në sigurinë rajonale dhe me gjerë”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button