USAID filloi me Projektin për Integrimin e të Rinjve në Arsim

Në hotelin Aleksandar Pallas në Shkup, USAID zyrtarisht e filloi Projektin për Integrimin Ndëretnik të të Rinjve në Arsim. Projekti do të zbatohet nga Qendra Maqedonase për Edukim Qytetar, në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, institucionet e tjera arsimore dhe Komandën Evropiane së SHBA-së, njofton Portalb.mk.

Në ngjarje morën pjesë ambasadori i SHBA-së në Maqedoni Xhes Bejli, Kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev dhe Ministresha e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska, me ç’rast të gjithë e theksuan rëndësinë e emancipimit të të rinjve në mënyrë që ata të bëhen pjesëmarrës aktiv në bashkësitë e tyre dhe të ndërtojnë lidhje të forta me bashkëmoshatarë me prejardhje të ndryshme.

Ambasadori Bejli theksoi se “Qëllimi i këtij projekti është që të rinjtë ta ndjejnë drejtpërdrejt rëndësinë e tolerancës, respektit për të tjerët, bashkëpunimin dhe të drejtat individuale dhe ta luajnë rolin e tyre në krijimin e ndryshimeve pozitive. Shpresojmë se do t’i inkurajojmë të rinjtë në Maqedoni që të bëhen qytetarë të përgjegjshëm dhe aktivë që të punojnë së bashku për të krijuar një të ardhme me prosperitet, një të ardhme energjike dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë. Është veçanërisht e rëndësishme që të rinjtë ta kuptojnë se angazhimi qytetar në të vërtetë do të thotë se është përgjegjësi e jona e përditshme për të qenë aktiv në bashkësitë tona, për të marrë pjesë në sjelljen e vendimeve dhe për t’i tejkaluar dallimet tona në mënyrë që të ballafaohemi me sfidat”.

Projekti për integrimin ndëretnik të të rinjve në arsim është nismë pesëvjeçare për përforcimin e kohezionit ndëretnik midis të rinjve dhe zhvillimit të sjelljeve demokratike dhe qytetare. Projekti bazohet në arritjet e projekit paraprak, për integrimin ndëretnik në arsim, i cili në periudhë prej pesë viteve realizoi bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Maqedonisë dhe me të gjitha shkollat fillore dhe të mesme me ç’rast i ndërtoi 400 partneritete midis shkollave në mbarë vendin, organizoi aktivitete ndërkulturore në të cilat morën pjesë mijëra nxënës dhe i renovoi gjashtëdhjetë e tre shkolla.

Projekti për integrimin ndëretnik të të rinjve në arsim gjithashtu do të punojë në partneritet me të gjitha komunat dhe shkollat fillore dhe të mesme në Maqedoni me qëllim që të rinjve me prejardhje të ndryshme t’u mundësojë të mësojnë për të drejtat dhe përgjegjësitë qytetare përmes realizimit të nismave të thjeshta për përmirësimin e shkollave dhe komuniteteve të tyre. Shkollat të cilat tregojnë përkushtim të veçantë dhe pjesëmarrje aktive në përforcimin e integrimit ndëretnik dhe vlerave qytetare do të shpërblehen me mbështetje plotësuese për renovimin e shkollave prej Komandës Evropiane së SHBA-së.

Me qëllim që palëve të interesuara t’u mundësohen informacione të rregullta për mundësitë arsimore, aktivitetet shkollore dhe praktikat më të mira, projekti zhvilloi aplikacion të ri për arsim – EduMobMK i cili u lëshua në përdorim gjatë ngjarjes. Aplikacioni falas i cili është në dispozicion për sisteme operative Android dhe iOS shkollave dhe bashkësive do t’u mundësojë të jenë në rrjedhë me lajmet dhe sukseset më të reja në sferën e arsimit, por do të përmbajë edhe njoftime për thirrje për dorëzimin e aplikacioneve për lloje të ndryshme të mbështetjes për shkollat dhe bashkësitë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button