Lëvizja BESA shqyrtoi rrugëtimin politk të saj, vendosi edhe datën e kongresit
Më 24 shkurt të vitit 2018, Lëvizja BESA do të mbajë Kongresin e parë partiak. Kështu është vendosur në mbledhjen e Këshillit Qendror të Lëvizjes BESA të shtunën në Shkup, ku është shqyrtuar rrugëtimi politik i kësaj partie në 3 vite të plota që nga dalja në skenën politike.
“Duke u bazuar në nenin 38 të Statutit të Lëvizjes BESA, Këshilli Qendror i Lëvizjes BESA diskutoi për zgjedhjet e brendshme në Lëvizje dhe për organizimin e Kongresit të Lëvizjes. Pastaj në mënyrë unanime u vendos që, pas realizmit të zgjedhjeve të brendshme, Kongresi i Parë i Lëvizjes BESA të mbahet më 24 shkurt të vitit 2018”
Përpos datës për mbajtjen e Kongresit, nga Lëvizja BESA informojnë se në takim, ata kanë bërë edhe vlerësimin e punës së deritanishme të tyre, që nga paraqitja si Lëvizje politike. Paraqitja e tyre në skenë, sipas BESËS, ka rimodeluar arenën politike në Maqedoni, në veçanti në kampin politik shqiptar, duke vendosur parime të fuqishme politike dhe moral të ri politik.