DnV: Pati vonesa në hapjen e disa qendrave të votimit

Demokracia në Veprim po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me praninë e vëzhguesve të saj në të gjitha 1777 vendvotimet në territorin e Kosovës, transmeton Telegrafi.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë njoftimin e DnV

Hapja e vendvotimeve

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave po zhvillohet në 614 Qendra Votimi me 1777 Vendvotime. Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur 12 vendvotimeve, 50% e të cilave lidhen me vonesën e komisionerëve. Komunat ku ka pasur vonesë në hapje janë Prizreni (në 5 raste), Suharekë (në 3 raste), Prishtinë (në 2 raste) dhe Klina dhe Rahoveci (nga një rast).

Në qendrën e votimit 2042 A në vendvotimin 07R në shkollën e 11 Marsi në komunën e Prizrenit, kryesuesi i vendvotimit nuk është paraqitur në vendvotim deri në orën 7:30. Procesi më pastaj ka rrjedhur normalisht.

Prania e materialit propagandues

Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar për prani të materialit propagandues të subjekteve politike brenda diametrit prej 100m të Qendrës së Votimit. Kjo dukuri e sanksionuar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP), nenin 85, është vërejtur në 19 Qendra Votimi ose 3 % të QV në nivel vendi.

Komunat ku janë shënuar këto raste janë: Gjilani, Podujeva, Prizreni, Suhareka (me nga 3 raste), Malisheva (me 2 raste).

Disponueshmëria e materialit zgjedhor

Nga terreni raportohet se në 3.4% të vendvotimeve (ose 60 VV) në nivel vendi kanë munguar materialet zgjedhore. Prijnë komuna e Gjilanit dhe Mitrovicës (me nga 8 raste), Klina dhe Prishtina (me nga 7 raste) dhe Gjakova (6 raste).

Në 10 vendvotime në nivel vendi vëzhguesit e DnV-së, kanë raportuar për prani të më pak se tre komisionerëve në vendvotim. Komunat ku kjo dukuri ka qenë më e shprehur janë: Prizren (në 3 raste), Rahoveci (në 2 raste).

Prania e personave të paautorizuar në vendvotim

Prania e personave të paautorizuar është vënë re në 44 raste, ose 2.6% të vendvotimeve e shprehur më shumë në komunat e Mitrovicës (në 7 raste), Prishtinës, Gjakovës dhe Gjilanit (në 6 raste).

Parregullsi tjera të shënuara

Qendra e votimit 0805 C në shkollën “Ali Krasniqi” në komunën e Klinës në ora 07:45 është goditur nga jashtë me gurë, duke i dëmtuar derën e hyrjes. Policia ka qenë në vendin e ngjarjes, autorët nuk janë identifikuar.

Është raportuar për raste ku disa persona kanë votuar jashtë kabinës së votimit, në shkollën “Hysni Zajmi”, QV 0606C, vendvotimi 04R në komunën e Istogut.

Ndryshe, DnV iu bën thirrje të gjithë komisionerëve, vëzhguesve të partive politike dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në procesin zgjedhor të jenë të përkushtuar për të përmbushur obligimet e tyre për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

DnV rikujton se çdo shkelje gjatë ditës së votimit, procesit të numërimit dhe në përgjithësi gjatë tërë procesit zgjedhor është i dënueshëm deri në 5 vite burgim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button