Takim Osmani-Ivanov: Konsensus për reformat, të mbyllet çështja e BE-së dhe NATO-s në vitin 2018

Zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Çështjet Evropiane, Bujar Osmani, sot në Vilën Vodno, kishte takim me presidentin, Gjorgje Ivanov.

Në takim, zëvendëskryeministri informoi për vizitën në Bruksel, të realizuar së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, ku u realizuan takime të rëndësishme me Nënkryetaren e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Frederika Mogerini, si dhe me Eurokomesarin për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johanes Han. Osmani informoi për porositë e Ministrave për Punë të Jashtme të vendeve anëtare të Unionit, të cilët, në mëngjesin e punës në Bruksel – Miqtë e Maqedonisë, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Bulgarisë dhe  Suedisë, shprehën gatishmëri për ta ndihmuar Republikën e Maqedonisë në aspiratat e saja evropiane dhe euroatlantike.

Në vazhdim, Osmani  informoi për pakot e reja reformuese të Qeverisë – Gjashtë dhe Nëntë, të cilat paraqesin rumbullaksim të Planit 3-6-9, implementimi i të cilit duhet të sigurojë hapësirë për progres në përafrimin kah Komisioni Evropian. Osmani potencoi se Strategjitë dhe planet akcionale të përfshira në Planin 3-6-9, në vete ngërthejnë të gjitha rekomandimet e dhëna nga ana e partnerëve dhe institucioneve relevante, siç janë rekomandimet nga Raporti i Komisionit Evropian, Komisioni Venecian, GREKO, rekomandimet e Grupit të larët të ekspertëve të udhëhequr nga Rajnhard Pribe si dhe të gjitha raportet dhe rekomandimet e tjera të cilat janë të notifikuara si obligim i  Republikës së Maqedonisë. Me ketë, theksoi Osmani,  pakoja e reformave rumbullaksohet, dhe pas implementimit të të njëjtave, pritet mënjanimi i rekomandimit të kushtëzuar, si dhe pritet raport pozitiv me rekomandim të ri të pastër nga ana e Komisionit Evropian. Në fund, theksoi Osmani, së bashku edhe me progres të realizuar në zgjidhjen e çështjeve të hapura politike, pritet edhe vendim për fillimin e negociatave deri në gjysmë të vitit 2018.

“Kemi mundësi të papërsëritshme, në vitin 2018 të bëjmë hapërimin historik dhe të mbyllim çështjen e BE-së dhe NATO-s. Është e nevojshme që të lihen anësh prioritetet tona personale, partiake e madje edhe prioritetet etnike, të formojmë konsensus për reforma, dhe të arrijmë rezultate” – theksoi Osmani. Ai e potencoi rëndësinë e këtij momenti, duke përsëritur edhe vlerësimin e marrë nga Brukseli, se viti 2018 duhet të jetë vit historik për progresin e Republikës së Maqedonisë në integrimet evropiane dhe euroatlantike, moment për të cilin duhet të angazhohen të gjithë vepruesit në shoqëri, dhe përmes procesit gjithëpërfshirës, të sigurohet konsensus thelbësor, e jo vetëm deklarativ rreth procesit të integrimeve të Republikës së Maqedonisë. Osmani kërkoi nga Ivanov mbështetje për procesin e reformave, por edhe mbështetje për sigurimin e konsensusit politik, si dhe mbështetje të dy të tretës së shumicës në Kuvend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button