Nimic caktoi takim në Bruksel më 11 dhe 12 dhjetor për çështjen e emrit

Ndërmjetësi i KB-së në bisedimet për çështjen e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, Methju Nimic caktoi takim me përfaqësuesit e dy vendeve në Bruksel më 11 dhe 12 dhjetor.

“Takimi është pjesë e angazhimeve të KB-së që t’u ndihmohet të dyja palëve të gjejnë zgjidhje të përbashkët e të pranueshme për çështjen e emrit”, thuhet në kumtesën e zyrës së Nimicit.

Fillimisht bisedimet u planifikuan për javën e ardhshme, por u anuluan dhe u ricaktuan për në dhjetor.

Raundi i ri i bisedimeve vjen në periudhën e klimës së përmirësuar politike midis Maqedonisë dhe Greqisë, si dhe pritjeve optimiste nga Shkupi, Athina dhe Uashingtoni për t’i dhënë fund kontestit shumëvjeçar.

Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan, Hojt Ji javën e kaluar në një debat në Uashington tha se çështja e emrit deri më tani është në nivelin më të lartë dhe më afër gjetjes së zgjidhjes. Shefi i diplomacisë greke, Nikos Koxias, nga ana tjetër, deklaroi se pret çështja të mbyllet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, ndërsa kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, se duhet të bëhet një hap dhe se tani ekzistojnë mundësi më të mëdha se më parë që të gjendet zgjidhje me Greqinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button