Dalin dosjet e fundit ‘Top-Secret’ për vrasjen e presidentit Kennedy, dëshmi e prova (VIDEO)

Ditën e sotme, Arkiva Kombëtare Amerikane publikoi dhjetëra mijëra dokumente sekrete mbi vrasjen e Presidentit të 35-të amerikan, John Kennedy.

Urdhri për publikimin e dosjeve sekrete u dha nga presidenti Donald Trump. Ai argumentoi se nëse publikimi i tyre nuk shkel asnjë afat të përcaktuar nga ligji, ose nuk cënon ndonjë sekret kombëtar, nuk ka kuptim që dosjet të mbahen të fshehura, transmeton “Syri“.

Një komision i mbajtur më 26 tetor të vitit 1992 vendosi t’i bllokojë këto dosje për publikun për 25 vjet. Një nga arsyet pse u mor ky vendim ishte filmi “JFK” i Oliver Stone në vitin 1991, që sipas komisionit nxiste frymën konspirative lidhur me vrasjen.

Kjo është një ngjarje me jo pak rëndësi, pasi vrasja e Kennedyt është perceptuar gjithmonë nga opinioni publik amerikan si e manipuluar. Ndër vite, ajo është shoqëruar nga një numër i madh teorish konspirative.

Një valë e fundit dokumentesh të lidhura me vrasjen e Presidentit John F. Kennedy në vitin 1963, do të bëhen publike sot, duke hedhur ndoshta më shumë dritë mbi një ngjarje tragjike që ka magjepsur publikun dhe ekspertët e presidencës Kennedy për dekada me radhë.  Presidenti Kennedy u vra ndërsa limuzina e tij përshkonte Dallasin në Teksas, më 22 nëntor 1963. Ai ishte me gruan e tij, Jackie.

Agjenti i Shërbimit Sekret, Clint Hill shkoi me shpejtësi tek limuzina, disa sekonda pasi presidenti u qëllua. “Ma mori mendja që plaga ishte vdekjeprurëse, por nuk isha plotësisht i sigurt. Por e vetmja gjë që tha zonja Kennedy ishte “Oh Jack, oh Jack, çfarë bënë kështu?’ dhe pastaj shtoi “Jack, të dua”, kujton ai.

Lee Harvey Oswald, që kishte qenë i arratisur në Bashkimin Sovjetik, u akuzua për vrasjen e Presidentit Kennedy. I pyetur nëse kishte qëlluar presidentin, ai tha jo.

Oswald u vra dy ditë më pas nga Jack Ruby, pronar i një klubi nate, duke shtuar frikën se bëhej fjalë për një komplot. Presidenti Donald Trump njoftoi përmes një mesazhi në Twitter, se do të lejonte publikimin e pjesës së fundit të dosjeve të Presidentit Kennedy, pasi ato të rishikoheshin.

Publikimi i plotë i dokumenteve, mund të nxjerrë informacione të reja për vrasjen e presidentit, thotë eksperti Larry Sabato. “Do të jetë një moment i rëndësishëm, sepse më në fund, pas afro 54 vjetësh, studiuesit do të kenë të gjithë informacionin që ka pasur qeveria dhe do të jenë në gjendje të bëjnë vlerësime të reja për vrasjen e Kennedy-t.”

Me interes të veçantë për profesorin Sabato dhe ekspertë të tjerë, është se çfarë dinin agjencitë qeveritare dhe me kë i ndanë informacionet lidhur me vizitat e Oswaldit në ambasadat sovjetike dhe kubaneze në Mexico City para vrasjes. “Dua të mësoj më shumë se çfarë dinin që më parë dhe pse, nëse mund ta marrim vesh nga dokumentet, nuk kishin komunikuar më mirë me njëri-tjetrin”, thotë ai.

Raporti zyrtar i Komisionit Warren, arriti në përfundimin se Oswald kishte vepruar i vetëm, por  publiku ka pasur dyshime për një kohë të gjatë, thotë profesor Sabato.

“Numri i amerikanëve që besojnë se vrasja ishte komplot ka variuar nga 60 deri në 75 për qind, prandaj është shumë e qartë se shumë amerikanë nuk besojnë se Lee Harvey Oswald veproi i vetëm.”

Pavarësisht nga mosbesimi, nuk ka pasur prova përfundimtare që të bëjnë të mendosh se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vrasje, përveç Oswaldit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button