Faruk Avdiu: Kolegët nuk guxojnë të ma bëjnë ‘Like’ (VIDEO)
Kandidati për kryetar të komunës së Çairit nga Aleanca për Shqiptarët, Faruk Avdiu, premtoi se do t’i japë përparësi gjelbrimit nëse votohet për të parin e komunës në zgjedhjet lokale në Maqedoni që mbahen më 15 tetor, njofton Portalb.mk.
Avdiu tha në Debat Pernime për moderuar nga Jeta Xharra se komunës së Çairit është padrejtësi me ndarjen territoriale ndërsa në aspektin e infrastrukturës, vlerësoi se kjo komunë “është shndërruar në katrahurë”.
“Në komunën e Çairit nuk mund të thuhet çka mund të bësh. Gjithçka që bën është në të mirë të qytetarëve sepse mungon gjithçka. Duhet t’i japim përparësi edhe gjelbrimit. Duhet të stopohen ndërtimet e larta. Janë bërë mbi 25 ndërtime të larta”, tha Avdiu.
“Do të stopohen ndërtimet e mëdha dhe do ta hapim procesin e revidimit të denacionalizimit”, shtoi Avdiu.
Sipas tij, arsimi duhet të ç’prangoset nga politika.
“Kolegët e mi as ‘like’ nuk guxojnë të ma bëjnë sepse frikësohen nga BDI. Vet punoj në shkollë të mesme dhe e di sa ka përkushtim nga drejtori aty për të punuar”, tha Avdiu.
Çairi është komunë brenda Shkupit e banuar me shumicë nga shqiptarët.
Brenda 3.5 kilometra katrorë, në këtë komunë jetojnë rreth 65 mijë banorë duke e bërë Çairin njërën ndër komunat më të dendura në Europë.
Debatet organizohen në partneritet të KALLXO.com me Portalb, Vërtetëmatës/Vistinomer, Art Channel dhe BIRN Maqedonia.