Thaçi në Nju-Jork takoi kryetarin e Këshillit Evropian, Donald Tusk

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në krye të delegacionit të Kosovës, ka nisur sot takimet në margjinat e seancës së radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, u takua me kryetarin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Thaçi diskutoi me Tusk për rrugëtimin evropian të Kosovës dhe e falënderoi për mbështetjen e dhënë në këtë drejtim.

Ai ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për të ardhmen e saj evropiane.

“Kemi bërë hapa të rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt familjes së madhe evropiane. Procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian duhet të përshpejtohet me veprime konkrete. Është jetike për shtetin tonë dhe mbarë rajonin që BE-ja të mbetet e angazhuar në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Thaçi gjatë takimit.

Me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe Zonjës së Parë, Melania Trump, në margjinat e Asamblesë, presidenti Thaçi dhe Zonja e Parë e Kosovës, Lumnije Thaçi, sonte do të priten nga çifti presidencial Trump.

Gjatë vizitës pesëditore në Nju-Jork, Thaçi do të zhvillojë takime të shumta bilaterale me krerë të shteteve dhe udhëheqës të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Thaçi do të marrë pjesë edhe në takimin e krerëve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, me nikoqire Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politkë të Sigurisë, Federika Mogerini.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button