Tre persona janë lënduar në dy aksidente në Tetovë dhe Gostivar

Tre persona janë lënduar dhe është shkaktuar dëm material prej 145 mijë denarë në dy fatkeqësi komunikacioni që dje dhe natën e kaluar kanë ndodhur në rajonin e Pollogut, me siguri si pasojë e shpejtësisë së papërshtatshme të lëvizjes gjegjësisht vozitjes së shpejtë, kumtoi sot zëdhënësi i SPB Tetovë, Marjan Josifovski.

Lëndime të rënda trupore ka marrë M.I. (25) nga Tetova pasi e ka humbur kontrollin ndaj automjetit “Golf” me targa të Tetovës me ç’rast ka dalë nga rruga dhe ka goditur një shtyllë betoni nga rrethoja para shtëpisë dhe një derë metali. Fatkeqësia ka ndodhur rreth orës 19 e 15 minuta në hyrje të fshatit Kamenjan. M.I. me lëndime të rënda trupore është dërguar në klinikat e Shkupit ku është ndaluar për mjekimin e mëtejmë.

Fatkeqësia e dytë ka ndodhur rreth orës 2 e 45 minuta pas mesnate në rrugën “Vëllezërit Gjinoski” në urën mbi lumin Vardar në Gostivar. Automjeti “Opel Astra” i drejtuar nga J.J. (34) nga Gostivari ka goditur një gjashtëmbëdhjetëvjeçare dhe B.K. (19) gjithashtu nga Gostivari, si dhe ndaj rrethojës metalike të urës.

Nga goditja dy këmbësorë kanë marrë lëndime të lehta trupore dhe janë transferuar në spitalin e Gostivarit prej ku pas ndihmës së dhënë janë lëshuar në shtëpi.

Policia me autorizimin e prokurorit publik ka kryer ekspertizë në vendin e aksidenteve dhe është duke punuar në zbardhjen e plotë të rasteve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button