13-vjetori i bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë

Me rastin e 13-vjetorit të bombardimeve të NATO-së në Kosovë që shënoi edhe fillimin e çlirimit të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi organizoi një pritje për zyrtarët më të lartë shtetërorë, si dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë që veprojnë dhe punojnë në Kosovë.  Me këtë rast kryeministri kosovar tha se fale rezistencës qytetare, vizionit politik perëndimor, luftës së pa kompromis së UÇK-së dhe nderhyrjes se NATO-së, Kosova arriti çlirimin dhe fillimin e një jete të mirëfilltë demokratike.

Thaci shprehu ndjenjat më të larta të respektit për aleancën ushtarake NATO-n dhe bashkësinë ndërkombëtare, që u vunë në mbrojtje të Kosovës në ditët më të vështira dhe më vendimtare. Por ai i beri elozhe edhe luftes se drejtë,- sic tha,- te popullit të Kosovës se udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila bëri që aleanca ushtarake më e fuqishme në botë të vihet në mbështetje të mbrojtjes së vlerave më të larta të civilizimit perëndimor në Kosovë, lirisë, paqes dhe demokracisë.

Duke folur per periudhen post-konfliktit, kryeministri permendi arritjet duke kujtuar se 13 vjet nga fillimi i fushates ajrore te NATO-s, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran i njohur nga 89 vende, është shtet i konsoliduar që po fuqizohet çdo ditë.   Ai nuk ka lënë pa përmendur kontributin e madh që ka dhënë dhe po jep NATO, duke theksuar faktin se e njëjta po vazhdon të jep kontributin e saj edhe me trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, si forcë profesionale, moderne me aspiratë të qartë që Kosova të anëtarësohet në NATO.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e 13-vjetorit të ndërhyrjes së trupave të NATO-s ndaj spastrimit etnik serb, ka përshëndetur operacionet e Aleancës.  Me anë të një deklarate për shtyp, zonja Jahjaga ka vlerësuar se, përmes kësaj ndërhyrjeje të suksesshme, Aleanca mbrojti vlerat e lirisë, demokracisë dhe qytetërimit.  “NATO, në 50-vjetorin e krijimit, dëshmoi se është në gjendje të ndërmarrë operacione të suksesshme në mbrojtje të paqes dhe mënjanimit të hegjemonisë, shtypjes dhe diktaturës”, është shprehur Jahjaga.  Presidentja ka vlerësuar përkrahjen ndërkombëtare në ato momente të vështira për Kosovën, kur qytetarët e saj shpërnguleshin me dhunë dhe binin pre e genocidit serb.

“Populli i Republikës së Kosovës ndien respekt dhe nderim të veçantë për angazhimin e Shteteve te Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që duke mbrojtur parimet e lirisë, barazisë dhe demokracisë, dolën kundër një regjimi shtypës, në mbrojtje të qytetarëve të pafajshëm, duke vendosur vlerat e qytetarisë në këtë pjesë të Evropës”, ka nënvizuar Jahjaga.  Më tej kryetarja e shtetit më të ri të Evropës ka shprehur admirimin e saj maksimal për angazhimin e përkushtuar të trupave të Aleancës, “që për 78 ditë më radhë luftuan për vënien në jetë të parimeve në të cilat besonin dhe që për ne si popull ishin vetë jeta”. 

Lajme të ngjashme

Back to top button