Francë, bashkëshortja e Macron me rol zyrtar, pa pagesë
Bashkëshortja e presidentit francez Emmanuel Macron, Brigitte Macron do të marrë një rol zyrtar në “Elize”, por pa titullin “Zonja e Parë”.
Presidenca publikoi atë që e quajti “Karta e transparencës”, në të cilën përcaktohen detyrat e saj, të financuara nga buxheti i Macron, transmeton Top Channel.
Ish-mësuesja e tij do të ketë një rol aktiv në shoqërinë civile, me fokus te personat me aftësi të kufizuara, arsimi, fëmijët, çështje të grave dhe barazia shëndetësore e gjinore.
Përmes një peticioni, më shumë se 316 mijë njerëz kundërshtuan që Brigitte të merrte një rol zyrtar si “Zonjë e Parë”, por e vërteta është se bashkëshortja 24 vite më e madhe në moshë e Macron ishte mjaft aktive gjatë fushatës zgjedhore dhe konsiderohet si person me shumë ndikim te kreu i “Elizesë”.
Karta e re e transparencës është një risi në Francë, pasi asnjë presidencë paraprake nuk e ka përcaktuar kaq qartë rolin e bashkëshortes së udhëheqësit francez. Krijimi i një pozicioni zyrtar për zonjën e parë do të kërkonte ndryshimin e Kushtetutës, por në vend që të bëjë këtë, karta përdor termin “bashkëshorte e kreut të shtetit”.
Në të sqarohet se zonja Macron nuk do të paguhet për ushtrimin e detyrave të saj, e as nuk do të ketë një buxhet personal, apo pretendime shpenzimesh. Shpenzimet do të dalin nga buxheti personal i presidentit Macron. Ajo do të ketë dy këshilltarë, zyrën e vet dhe një Sekretariat.
Gjatë fushatës zgjedhore, Macron theksoi se politikanët nuk duhet të punësojnë të afërmit e tyre, pasi rivali i tij konservator Francois Fillon humbi mbështetje pikërisht për këtë gjë. Gjatë një interviste për revistën “Elle”, Brigitte tha se ishte ndierë shumë keq për komentet negative e seksiste lidhur me diferencën në moshë me Emmanuel, por kishte vendosur të heshtte.
“Me kohën do të kalojë”, ishin fjalët e saj.