Maqedonia dhe Çak Norisi

Kur Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s, Fatmir Besimi do të jetë sekretari i përgjithshëm i saj. Nga karriera ministrore do të bëjë karrierë evropiane. Do të udhëheq misionet e Aleancës në vendet problematike. Do t’ua ndërrojë uniformat ushtarëve të NATO-s. Ai është personi i denjë për gjithçka: për ekonomi, për ushtri dhe varësisht ku ka nevojë për profesionalizmin e tij.

Ndërkaq, kur Maqedonia do të inkuadrohet në BE gjuhë zyrtare në Evropë do të jetë maqedonishtja dhe gjuhët e “përqindjeve”. Denari do të jetë valutë evropiane. Flamuri i BE-së do të jetë kuqeverdhë, me format më të madh se flamurthat e kombeve evropiane. Brukseli vetëm një periferi e mërzitshme diplomatike.

Kur Maqedonia do të inkuadrohet në BE, në çdo kryeqendër evropiane do të ngriten statuja të reja. Do t’u ndërrohen emrat aeroporteve. Do të kemi eksport emra heronjsh, padrejtësisht të flakur nga historia e Evropës.

Kur Maqedonia do të inkuadrohet në BE, Teuta Arifi do të jetë negociatorja kryesore për shuarjen e përplasjeve ndërmjet shteteve evropiane. Do ta formatojë politikën e jashtme evropiane dhe herë pas here do të shkruajë kolumna duke shprehur mospajtimet e saj me institucionet që drejton. Musa Xhaferi do të jetësojë marrëveshjet me afat të skaduar.

Abdylaqim Ademi do të udhëheq programin për shpëtim nga ngrohja globale, me fushata kundër përdorimit të duhanit kaçak, që me sertësinë e tij dëmton mushkëritë e Evropës. Blerim Bexheti do të jetë pjesëmarrësi kyç në përpilimin e kushtetutës së re evropiane dhe do të ndërmjetësojë në rregullimin e statusit të luftëtarëve në shtetet aziatike.

Nevzat Bejta do t’i ndihmojë shtetet e centralizuara evropiane si t’i dispersojnë kompetencat. I adhuruari i motorxhinjve, ministri Saraçini do t’i këshillojë evropianët se si ta kursejnë energjinë elektrike; kur duhet kyçur e shkyçur frigoriferët, kaloriferët, shporetet, poçet… Ai do të gëzojë simpatinë e amviseve, për të cilat do të organizojë kurse kursimi të energjisë elektrike. Fazli Veliu do të hap Zyrën e Ultimatumeve. Nëse nuk do t’ia përfilin njërin ultimatum, do ta shkruajë ultimatumin tjetër.
Kur Maqedonia do të inkuadrohet në BE, Ali Ahmeti nuk do të jetë më lideri i shqiptarëve, por i evropianëve. Drejtuesit e PDSH –së dhe RDK-së, do të mburren se tani më nuk janë opozitë në një vend të vogël ballkanik, por parti kryesore opozitare, që korrigjojnë gabimet e liderëve evropianë. PDSH-ja do të kërkojë që të bëhet ndarja proporcionale e buxhetit evropian, kurse RDK-ja do të merret me kahen e investimeve kapitale evropiane.

Kur Maqedonia do të bëhet anëtare e BE në vend të Olimpit të adhurohet Kokinoja. Maqedonia do ta shpalojë mashtrimin grek mbi origjinën e tyre antike. Do ta argumentojë me ndihmën e shkencëtarëve (madje të huaj) se Homerin, Eskilin, Sofokliun, Euripidin, Aristofanin, Platonin e Aristotelin, i kishin shpikur të tjerët vetëm që të dëshmonin për ekzistencën e një qytetërimi të lashtë evropian. Madje, me gjasë, edhe Akropolin e kanë sjellë aty natën, vjedhurazi, që t’u kundërvihen maqedonasve aktual, antik.

Kjo nuk është shaka në këtë kohë pritjesh të mëdha. Çka nuk do të ndodh kur Maqedonia të inkuadrohet në BE. Atëherë do të bindemi se në mesin tonë nuk kemi pasur pigmej, por guliverë të politikës. Shumë të mëdhenj për një vend të vogël. Lum ata që do të jetojnë në atë kohë të largët… /Lajm

Lajme të ngjashme

Back to top button