Zbulohen 103 keqpërdorues të energjisë elektrike

Drejtuesit EVN-së kanë denoncuar vjedhjen masive të energjisë elektrike nga ana e amvisërive dhe bizneseve të ndryshme të Gostivarit dhe rrethinës. Ekipet e kontrollit të njësisë së EVN-së në Gostivar kanë zbuluar 103 shfrytëzues të cilët në mënyrë jo të rregullt kanë shfrytëzuar energji elektrike.

“Nga fillimi i vitit në Komunën e Gostivarit, Vrapçishtit dhe Rostushës, shfrytëzues të pandërgjegjshëm kanë grabitur 240 mijë kilovat orë energji elektrike. Si pasojë, kanë shkaktuar dëm prej 1.5 milion denarësh. Rreth 70 për qind të vjedhjeve janë regjistruar në kategorinë e amvisërive dhe 30 për qind shfrytëzues të sektorit të biznesit”, deklaroi Atanas Kovaçevski zëdhënës i EVN-së në Shkup.

Kontrollet e ndërmarra nga EVN Maqedoni, kanë treguar se numri më i madh i rasteve të ndodhura të vjedhjeve janë kryer në matëset e mbyllura të energjisë elektrike për shkak të borxheve të trashëguara apo shfrytëzimeve të palejuara.

“Me këtë, edhe një herë është bërë kundërvajtje e cila sipas ligjit për energji elektrike, po ashtu ndëshkohet me sanksione ligjore dhe financiare. Shfrytëzuesit e tillë që për të dytin herë radhazi e kanë përsëritur veprimin e njëjtë, sipas rregullës ligjore janë shumë afër dënimit me burg. Kundër të gjithë këtyre rasteve, janë iniciuar fletëparaqitje për kundërvajtje për shfrytëzim të paligjshëm të energjisë elektrike”, potencoi Kovaçevski. Sipas tij, kjo dukuri vërehet në të gjitha qytetet e Maqedonisë. Nga fillimi i vitit, janë regjistruar 1.900 raste të vjedhjes së energjisë elektrike në gjithë territorin e Maqedonisë.

“Dëmet e shkaktuara përllogariten në 22 milion kilovat energji elektrike. Në kundër vlerë, kompania jonë ka shkuar në humbje në mbi 2.3 milion euro. Për shtetit, humbje është përqindja e tatimit e cila nuk paguhet për shkak të mos faturimit të kilovatëve të konsumuara të energjisë elektrike. Humbjet më të mëdha janë tek rrjetet e përçimit të energjisë elektrike e cila rëndon mbi të gjithë shfrytëzuesit e energjisë elektrike”, nënvizoi  Atanas Kovaçevski zëdhënës i EVN-së në Shkup. Nga EVN pohojnë se po të mos ishin vjedhjet, rrjeti elektrik mund t’i përballoj ngarkesat sepse është i dimensionuar sipas nevojave të Maqedonisë. 

Si pasojë e vjedhjeve, transformatorët mund të digjen për shkak të vjedhjes së madhe të rrymës. Kjo në mënyrë plotësuese ngarkon instilacionet. Nga EVN-ja bëjnë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë dhe se lufta me vjedhësit e energjisë elektrike do të shkojë deri në ndalimin e plotë të rasteve ku në mënyrë të paligjshme bëhet shfrytëzimi i energjisë elektrike.

Marrë nga: tv2

Lajme të ngjashme

Back to top button