Rama: Rruga jonë ndryshe nga ata që vodhën zgjedhjet

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, duke folur në punimet e Asamblesë Kombëtare të kësaj force politike, deklaroi se alternativa socialiste ka për qëllim rimekëmbjen e ekonomisë në një kohë kur qeveria po e shkatërron atë. 

Rama theksoi se PS kërkon punësim real, taksim të ndershëm, kërkon të mbështesë biznesin, ka për qëllim ofrimin e shërbimeve publike sipas nevojës dhe zhvillimin modern rural. 

“Rruga jonë është e ndryshme nga ata qe qeverisin më vota të vjedhura. Ne kemi bërë tryeza me grupet e interesit, të cilët kanë kontribuuar në këtë fazë të programit të PS”, tha Rama.

Duke folur për propozimin e kryeministrit për ulje të taksave, Rama theksoi se ulja është vetëm për 5 për qind të komunitetit të sipërmarrësve, ndërsa barra u bie sipërmarrësve të tjerë. Rama shtoi se biznesmenët e mesëm dhe të vegjël, përfshirë edhe shqiptarët do të paguajnë taksa duke u rënduar më shumë se asnjëherë.

“Ne premtojmë ulje të taksave për 95 për qind të shqiptarëve”, theksoi Rama.

Klosi: Gati të ndërtojmë Shqipërinë

Më herët ishte deputeti Blendi Klosi, i cili u shpreh se forca politike që përfaqëson është e gatshme të ndërtojë Shqipërinë.

“Dëshmuam se jemi forca më e madhe politike në vend. Ne jemi një forcë e gatshme për të pranuar kontributin e gjithësecilit”, tha Klosi, duke shtuar se vetëm në muajt e fundit janë regjistruar rreth 13 mijë anëtarë të rinj, ndërsa numëri i të anëtarësuarve është rritur me 30 për qind.

Marrë nga: top-channel

Lajme të ngjashme

Back to top button