Britania do të ballkanizohet?

Askush nuk pret që në Mbretërinë e Bashkuar të ketë gjakderdhje ndëretnike ashtu sikurse ndodhi në fund të shekullit të kaluar në Ballkan. Por Britania e Madhe do të shpërbëhet, ashtu sikurse u shpërbë ish Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, pra Skocia do të ndahet nga Anglia ashtu sikurse u nda Kosova nga Serbia.

Kështu shkruan analisti Tim Judah për “The Ekonomist”, që siç thotë ai, me gjithë kulturën e ndryshme politike midis Britanisë dhe Ballkanit, mund të tërhiqen disa paralele, pasi sipas tij, britanikët po mendojnë shumë për ‘ballkanizimin” e mbretërisë së tyre.

“Partia Nacionale Skoceze, e cila përkrahë pavarësinë, ka fituar vitin e kaluar pushtetin në zgjedhjet parlamentare të Skocisë, madje bidshëm, me 45,4 për qind të votave të përgjithshme. Por gjithçka mbetet e paqartë, pasi sipas Judah, i cili është njohës i mirë edhe i zhvillimeve në Ballkan.

“Skocia ka parlamentin e vet prej vitit 1999, ndërkohë që Anglia nuk e ka një të tillë. Andaj shumë anglez vlerësojnë se skocezët përmes parlamentit britanik mund të ndikojnë në vendimet me interes për Anglinë, ndërkohë që anglezët nuk mund të ndikojnë në Parlamentin Skocez lidhur me vendimet që kanë të bëjnë për Skocinë”, shkruan Judah.

Judah citon analistë britanikë, të cilët thonë se Skocia më shumë mund të krahasohet me Malin e Zi se sa me Kosovën, “pasi anglezët nuk e konsiderojnë Skocinë si djep të Anglisë, ashtu sikurse vazhdojnë të thonë serbët për Kosovën”.

“Pavarësimi i Skocisë do të nxiste polemikat se kush është trashëgimtar i Mbretërisë, pastaj do të nxiste debat nëse Skocia do të mbeste anëtare e Bashkimit Evropian, apo do t’i duhej të kandidonte sërish… Dhe duke parë qëndrimin e politikës së jashtme spanjolle ndaj Kosovës, atëherë me siguri se Spanja do ta kundërshtonte edhe hyrjen e Skocisë në Bashkimin Evropian”, shkruan ndër të tjera analisti Judah.

Ai e mbyll opinionin e tij me këtë fjali: “Shembulli i Jugosllavisë na ka mësuar se kur fillon shpërbërja e një shteti, federate apo mbretërie, është shumë e vështirë të dihet se si do të përfundojë”. 

Marrë nga: telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button