Thaçi: Kosova fiton nga marrëveshjet me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se vizita e tij në Uashington rikonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.

“Takimet me sekretaren Clinton dhe zëvendëspresidentin Biden ishin një rikonfirmim për mbështetjen e Kosovës, stabilitetit të saj dhe të rajonit, si dhe për të ardhmen evropiane”, ka deklaruar Thaçi në një intervistë për VOA.

Kryeministri ka vlerësuar se mesazhet e marra në takimin me Biden ishin mesazhe mbështetëse, që sugjeronin se Kosova duhet të vazhdojë me reforma dhe me ecje të shpejtë përpara në bashkëpunim me SHBA.

“Ndaj mund të them se është një thellim i bashkëpunimit në të gjitha sferat. Vizita ime ishte një konfirmim se Kosova po bën hapa të sigurt drejt zhvillimit dhe integrimit. Gjithashtu, vizita forcon raportet tona dhe shënon hapa përpara në përforcimin e shtetit të Kosovës”, ka theksuar Thaçi.

Më tej, i pyetur për dialogun me Serbinë, kryeministri është shprehur i vetëdijshëm për skepticizmin në radhët e klasës politike kosovare, por ka theksuar se Kosova do të përfitojë nga marrëveshjet e arritura në to, ndonëse nuk janë më optimalet.

“Ne nisëm dialogun para 1 viti e gjysmë, për këtë ramë dakord edhe me LDK-në. Ne kemi respektuar angazhimet dhe Kushtetutën e Kosovës. Ka pasur skepticizëm për Rambujenë, për bisedimet e Vjenës, për procesin e bisedimeve, por marrëveshjet kanë qenë pozitive. Nuk kanë qenë më optimalet, por kanë qenë në interesin e popullit të Kosovës”, ka pohuar Thaçi.

Më tej, i pyetur lidhur me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, ku dy policë shqiptarë u arrestuan nga agjentët serbë, Thaçi ka nënvizuar se, Kosova nuk do që të ketë tensione me fqinjët e saj dhe ka theksuar se bashkëpunimi rajonal është zgjidhja e vetme për të ecur përpara dhe për të arritur integrimin në NATO dhe BE.

Përsa i përket çështjes së veriut, kreu i ekzekutivit kosovar ka hedhur poshtë mundësinë e një statusi special, duke konfirmuar prirjet e Prishtinës kundër ndryshimit të kufijve në rajon.
“Realiteti i Kosovës sot respektohet nga gjithë bota demokratike. Misioni ynë është që të mos hapen kufijtë, të mos ndryshojnë. Asnjëherë nuk do të ketë autonomi për veriun, apo status special për të”, ka shtuar Thaçi.

Marrë nga: info-kosova

Lajme të ngjashme

Back to top button