USHT, mbledhje komemorative për Prof. Dr. Kasamedin Abdullain

Në Amfiteatrin e Rektoratit të USHT-së u mbajt mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të profesorit të Katedrës së Biologjisë, të FSHMN të USHT-së, Prof. dr. Kasamedin Abdullait.

Përgjegjësi i Zyrës për Informim të USHT-së, Selam Sulejmani  pasi i shprehu ngushëllime familjes së profesorit, në emër të Rektoratit dhe të punësuarve tjerë në USHT ftoi të pranishmit që me një minutë heshtje të nderohet jeta dhe vepra e profesor Kasamedinit, i cili siç tha tërë jetën e tij ia kushtoi arsimit.

Për jetën dhe veprën Prof.dr. Kasamedin Abdullait, i cili pas një sëmundje të rëndë ndërroi jetë në moshën 51 vjeçare, foli mësimdhënësi Lazim Kamberi nga FSHMN-ja.

Kamberi, duke folur për jetën dhe veprimtarinë e Prof. dr. Kasamedin Abdullait, tha se ai u lind më 3 dhjetor të viti 1960, në Reçicë të Tetovës. Studimet themelore i kreu në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1983, studimet e magjistraturës në po këtë Universitet, në vitin 2000, ndërsa ato të doktoraturën i kreu në Universitetin e Prishtinës, në vitin 2004 dhe fitoi titullin Doktor i shkencave të biologjisë, respektivisht i Botanikës, Fiziologjisë dhe Morfologjisë së bimëve.

“Karrierën e tij si punonjës i Universitetit e filloi qysh në moshë të re, menjëherë pas mbarimit të studimeve themelore, fillimisht në Universitetin e Prishtinës dhe më pas paralelisht edhe në Universitetin Shtetëror te Tetovës. 

Në vitin 1994 rreshtohet mes intelektualëve shqiptarë për themelimin e Universitetit të Tetovës dhe ishte ndër themeluesit e Katedrës së Biologjisë dhe bartës i lëndës së Fiziologjisë së bimëve dhe Ekofiziologjisë së bimëve. 

Gjatë punës së tij si profesor, la pas vetes tre libra universitarë:  ,,Bioteknologjia e fermentimeve”, ,,Fiziologjia e bimëve” dhe ,,Ekofiziologjia e bimëve”. 
Udhëhoqi mbi 50 punime diplomash dhe 12 teza të magjistraturës, të kandidatëve nga Katedra ku punoi si profesor i lëndëve përkatëse.  

Punimet e publikuara shkencore të Prof. dr. Kasamedin Abdullait në vete ngërthejnë tematikën e kulturave in vitro, Florën e Maqedonisë dhe Kosovës, aspektet fiziologjike dhe ekofiziologjike të bimëve etj”, tha në mes tjerash në fjalën e tij për jetën dhe veprën e Prof. dr.  Kasamedin Abdullait, mësimdhënësi në FSHMN, Lazim Kamberi.

Në emër të familjes së profesorit Kasamedin Abdullai, të pranishmit në mbledhjen komemorative i falënderoi vëllai i tij, Safet Zenuni.

Profesor Kasamedin Abdullai, ndërroi jetë në Tetovë, më 04.04.2012, pas një sëmundje të rëndë.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button