Xherdan Shaqiri, i përzgjedhuri për pijen freskuese Coca Cola

Në njërin nga supermarketet më të njohura të Zvicrës Coop, në pikën e Letzipark në Zürich, pamë që ishin servuar si zakonisht nëpër rafte pije të ndryshme, e shihej edhe «Coca Cola», por jo si herët tjera, por tani edhe në shishe, kurse në mbështjellësin e paketimeve ishte ylli i futbollit, Xherdan Shaqiri.

I riu shumë i talentuar, ose diamanti i futbollit profesionist, Xherdan Shaqiri, ka kohë që është bërë idhull i dashamirëve të futbollit, jo vetëm Zvicër, por në gjithë Evropën e më gjerë. Ai me të drejtë ishte shpallur futbollisti i vitit në këtë shtet, kurse pas një serie lojërash brilante, Xherdani sikur e ka krijuar një gjerdan të karrierës së ndritshme të tij. Në vitin 2010, Xherdan Shaqiri është zgjedhur si futbollisti më i mirë perspektiv i Zvicrës.

Po më 2010, me skuadrën e tij FC Bazel i kishte fituar dy tituj (kampionin dhe kupën), e po ashtu kishte luajtur në tri ndeshje për Kombëtaren A të Zvicrës dhe menjëherë pas kësaj e mori besimin për suksese të mëtutjeshme me reprezentacionin në botërorin Afrika e Jugut 2010. Ndërkohë Shaqiri është bërë pjesë e pandashme e ekipit kombëtar, që e drejton Otmar Hitzfeld. Ai ka fituar edhe një titull kampioni, pastaj me reprezentacionin U-21  e ka zënë vendin e dytë në kampionatin evropian të futbollit, Danimarka 2011.

Xherdani mbase do të shndrisë mu sikur diamanti në tepihun e gjelbër, duke e ofruar artin e lojës së quajtur futboll. Na kujtohet goli i tij prej 25 metrash kundër ekipit të Bullgarisë, e po ashtu na kujtohet edhe përqafimi nga trajneri i tij…

Futbollisti i talentuar Shaqiri tashmë është përzgjedhur nga firmat e njohura për reklamimin e tyre, si: Credit Suisse Player of the Year, nga kompania më e madhe sportive në botë Nike, me çka emri i tij merr dimensione edhe më të mëdha, duke u bërë një simbol – idol. E tash, paraqitjet e mira te Bayern Munich dhe te Kombëtarja e Zvicrës e kanë bërë Xherdan Shaqirin figurë reklamimi të kompanisë së njohur të pijeve Coca Cola për tregun e rëndësishëm zviceran.

Shumë të rinj e të reja, por edhe të moshuar, që ndoshta edhe nuk e kanë shumë të preferuar, e blejnë këtë pije për ta pasur dhe për t’u krenuar me suksesin e bashkëkombësit tonë, Shaqiri. E disa të moshuar, që i takuam në njërën nga kafenetë e kësaj qendre tregtare, ndër të tjera, thanë: «Kush ka menduar para njëzet vjetësh që ne mund të shohim edhe yje shqiptare duke luajtur futboll në ekipet më të njohura të botës, e të mos flasim, të shohim reklama me shqiptarë në firmat më gjigante, si Coca Cola, Credit Suisse Player of the Year» e Nike. Kjo është një punë e madhe, me të cilën ne krenohemi. Kjo është Zvicra, ky shtet mik i vërtetë i shqiptarëve”. Për lexuesit tanë po e servojmë një foto, të realizuar enkas sot në Zürich të Zvicrës./ Zëri

Lajme të ngjashme

Back to top button