Serava e Shkupit mbushet me ujë (FOTO)

Banorët e lagjes Serava të Shkupit ankohen se kur të bie shi mblidhet uji duke e bërë të vështirë kalimin e këmbësorëve si dhe të makinave në rrugët e kësaj lagjeje.

Ata thanë që disa herë janë ankuan në komunën e Çairit, po ja që nuk rregullohet çështja e kanalizimit i cili shumë pak e ngre ujin, sidomos kur bie shi për disa ditë rresht.

“Çdo herë që bie shin ë duhet të mbyllemi në shtëpi, madje disa që I kanë shtëpinë më të ulëta ju hyn uji edhe brenda. Jemi ankuar disa herë dhe na kanë thënë që do të rregullohet, nga ngelet vetëm shpresa që një ditë nuk do të kemi rrugë të mbushura me ujë”, tha Nazlie T., banore e lagjes Serava.

“Djalin duhet të mbaj në shpinë shkaku i ujit, tani po e dërgoj në shkollë dhe më dhimbset t’i lagen këmbët. Komuna urgjent duhet të merr masa, nuk mundet më kështu, të shqetësohemi çdo herë që bie shi, të mendojmë se si do ja bëjmë”, tha Ismail R., po ashtu banor i kësaj lagjeje. 

Mbledhja e ujit pranë trotuarit pengon edhe vetë shitësit e dyqaneve të plastikave, të cilët thonë se kur bie shi nuk kanë punë dhe se është e vështirë që të arrijnë deri tek dyqani shkaku i ujit.

“Siç e shikoni edhe vetë uji mblidhet shumë këtu dhe për të kaluar rrugën patjetër duhet të kalohet këndej. Këmbët i kemi ujë, se hymë nëpër ujë se s’kishim nga të kalonim. Gjithashtu edhe për myshterinjtë është pak problematike sepse e dinë se si bëhet kjo rrugë kur bie shi”, thanë disa nga punëtorët e dyqaneve.

Nga komuna e Çairit, Rami Qerimi bën të ditur se shkaku për mbledhjen e ujit është vjetërsimi i kanalizimit si dhe shtimi i popullatës në këtë lagje.

“Kanalizimi në Seravë duhet të zgjerohet sepse është i vjetër. Kjo lagje kohëve të fundit është shtuar dhe dukshëm është rritur numri i shtëpive të reja si dhe ndërtesave dhe për këtë arsye kanalizimi nuk mund ta përballojë. Ne kemi projekt dhe së shpejti do të rregullohet kjo çështje”, tha për Portalb Qerimi.

Ai po ashtu shtoi se kjo dukuri më së shpeshti paraqitet  kur shirat janë të rrëmbyeshëm dhe pas gjysmë ore situate stabilizohet dhe kanalizimi thithë ujin e mbledhur.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button