Mustafa: Qeveria ime do t’u krijojë lehtësi bizneseve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka theksuar të mërkurën gjatë vizitës që i bëri qendrës tregtare “Albi Mall”, pjesë e “Albi Group”, se partia të cilën ai e udhëheqë ka programin më serioz dhe është e përkushtuar për ta zbatuar atë me përpikmëri gjatë qeverisjes së ardhshme të vendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas kryetarit Mustafa, është e vendosur të përkrahë me politikat e qeverisë që do të drejtojë zhvillimin e vendit.

“Ne do t’i qëndrojmë programit tonë, të punuar nga ekspertë të njohur dhe i cili i përgjigjet nevojave zhvillimore të vendit, sepse ne dëshirojmë të arrijmë zhvillimin e vendit tonë, të ulim papunësinë dhe varfërinë”, ka thënë kryetari Mustafa.

Për të forcuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), Mustafa ka thënë se do të zgjerohet baza tatimore dhe do të ulen tatimet, ndërsa TVSH nuk do të paguhet më në pikat kufitare, por në brendësi të territorit të Kosovës, pasi që të shiten mallrat.

Mustafa ka premtuar po ashtu mbështetje për bizneset që kanë plane për realizimin e të gjithë zingjirëve të prodhimit, duke përfshirë edhe paketimin dhe plasimin, në mënyrë që të ulet hendeku i bilancit tregtar me vendet e tjera, kur dihet se Kosova importon në vit 2.2 miliardë euro ndërsa eksporton vetëm 300 milionë euro.

“Nëpërmes investimeve në bujqësi ne planifikojmë që importin e produkteve bujqësore në vlerë prej 600 milionë euro, sa është aktualisht, ta zvogëlojmë për 80%, në favor të prodhuesve vendorë. Në këtë mënyrë ne do të përmirësojmë bilancin tregtar, do të rrisim prodhimin vendor, do të shtojmë vendet e punës dhe do ta luftojmë varfërinë”, ka thënë kryetari i LDK-së.

Mustafa ka thënë se shembulli i “Albi Group” është shembull suksesi në biznes dhe një veprimtari e cila ka mundësuar punësimin e shumë qytetarëve të Kosovës.
Duke folur në emër të “Albi Group” menaxheri Bekim Humolli, ka theksuar se ka mirëpritur liderin e LDK-së, Isa Mustafa, interesimin e tij për afarizmin si dhe është njoftuar me programin e LDK-së për qeverisjen e vendit në mandatin e ardhshëm. 

Lajme të ngjashme

Back to top button