Imer Aliu: PDSH e përkrah BDI-në vetëm në këtë rast

Edhe pse jemi plotësisht të sigurt se jeni duke gënjyer rëndë se për 6 muaj Maqedonia do të jetë anëtare në NATO, themi publikisht se po ta bëni këtë edhe ne si PDSH ju përkrahim pa asnjë kusht, por po mos ta bëni këtë ju përfundimisht duhet të largoheni nga skena politike dhe të shkoni nëpër shtëpitë tuaja. Kështu u shpreh sot deputeti i PDSH-së, Imer Aliu duke drejtuar akuza drejtë BDI-së.

“Kohëve të fundit nga BDI-ja lidhur me bisedimet për hyrje në qeveri me VMRO-DPMNE, deklarojnë se nevojiten edhe 6 muaj që Maqedonia të hyjë në NATO dhe BE. Edhe 6 muaj mashtrime edhe 6 muaj  gënjeshtra. Të përkujtojmë se nga Janari 2001 kur dolën për çlirim kombëtar, e gjer më sot vetëm kanë gënjyer e mashtruar. 166 muaj as çlirim kombëtar, as NATO dhe as BE. E mira e gjithë kësaj është se ju përfundimisht jo vetëm që jeni, por edhe silleni si parti multi-etnike. Kërkesa për NATO dhe BE kanë edhe partitë maqedonase, turke, boshnjake, rome, vllahe, dhe serbe. Të përkujtojmë se partitë politike shqiptare përveç NATO-s dhe BE-së kanë edhe kërkesa kombëtare, që këtu në Maqedoni shqiptarëve u mohohet.” tha Aliu.

Më tej ai akuzoi BDI-në se e ka degjeneruar tërësisht procesin politik.

“Mbase qëllimi i 2001-it dhe i partisë që themeluat ka qenë eliminimi i tërësishëm i çështjes shqiptare në Maqedoni.Sa për ilustrim, si e sqaroni se Bullgaria është anëtare e NATO-s mirëpo 1.5 milionë Turq nuk kanë asnjë të drejtë nacionale. Ky shembull flet që ju jeni pajtuar dhe e keni për mision politik që shqiptarët në Maqedoni mos të jenë as shtet-formues dhe as pakicë, por të jenë në kuadër të kategorisë “të tjerët” tha Aliu.  

Lajme të ngjashme

Back to top button