Ambasadori Arvizu: Protesta e PD, herët për betejë finale me qeverinë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, duke folur dje në emisionin “Watching” të gazetares, Menada Zaimi në Agon Channel, iu përgjigj deklaratës së ish-kryeministrit, Sali Berisha se atij do i digjen të dyja duart nëse ai vë dorën në zjarr për këtë qeveri.

“Është e padrejtë që Berisha mendon kështu.Kur kam mbërritur këtu në fund të vitit 2010, Berisha ishte kryeministri. Kemi punuar bashkë, edhe pse kemi pasur dallime. Puna ime është të punoj me qeverinë e radhës, paguhem për t’u kujdesur për interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë nuk paguhem për të mbrojtur qeverinë, por për të punuar me qeverinë. Kjo ka qenë e padrejtë”, – tha Arvizu.

Ambasadori amerikan tha ndërkohë se i shikon me interes protestat antiqeveritare të paralajmëruar nga Partia Demokratike lidhur me çështjen e trafikut të drogës por shtoi se mendon se opozita e ka pompuar më shumë se ç’duhet këtë protestë. Ai tha se PD-ja ka ende probleme të organizimit dhe konsolidimit të saj dhe është larg të qenit gati për t’u kthyer në pushtet. Madje Arvizu nuk ngurroi të shprehej se “kur dëgjova për protestë, mendova se Altin Goxhaj ka mbetur pa punë”.

Ai theksoi gjithashtu se demokratët “sapo kanë humbur një të tretën e deputetëve, sapo kanë humbur Olldashin që mund të kishte një rol në të ardhmen e tyre dhe janë duke u organizuar. Është herët për të folur për një betejë finale me qeverinë”, – tha Arvizu. Sipas ambasadorit amerikan, aftësia e PD-së për të thithur mbështetës të rinj është e kufizuar. Duke folur për akuzat e opozitës për ushtrinë, ai tha se lideri i opozitës, Lulzim Basha i ka pranuar se nuk kanë gjë me ushtrinë shqiptare.

“Unë kam biseduar me Bashën dhe ai më ka siguruar se nuk janë duke sulmuar ushtrinë”, – pohoi Arvizu. Ai foli dhe për reformat e qeverisë, teksa shprehu vlerësim për disa prej tyre si reforma territoriale, reforma e pensioneve etj. Arvizu iu përgjigj dhe pyetjeve se përfaqëson politikën e SHBA në Tiranë apo jo dhe injoroi disa kritika të deputetëve opozitarë rreth kësaj çështjeje.

“GRUSHTI”

Ambasadori i SHBA-ve e ka cilësuar të gabuar nderimin me grusht që deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, sëbashku me kolegen tjetër të tij, Blerina Gjylameti bënë në Varrezat e Dëshmorëve gjatë ceremonisë së organizuar me rastin e “5 Majit”. “E pashë veprimin e deputetit Majko. Ai është deputet i ‘vjetër’ dhe ka qenë edhe ish-kryeministër ndryshe nga Blerina Gjylameti që është një deputete ‘e re’. Ai veprim ishte i gabuar”, – është shprehur mes të tjerash ambasadori amerikan. Vetë deputeti socialist, Pandeli Majko duke sqaruar në “Facebook” nderimin me grusht me rastin e “5 Majit” tha se “për ata që çuditen pse kam ngritur ‘grushtin’ në Varrezat e Dëshmorëve ju them shkurt se ai ishte simboli i bashkimit kombëtar kundër pushtuesve të vendit. Ata që ranë e kishin simbol të përpjekjes në të cilën dhanë jetën. Mirënjohje në kujtesën time zë ambasadori amerikan dhe miku im Frouik që në festën e çetës së Gorë-Oparit përshëndeti me grushtin lart veteranët e LANÇ-it. Nuk na bën komunist përshëndetja miqtë e mi ashtu si opozitën nuk e bën të ‘djathtë’ diskutimi për tema të tilla”, – ka sqaruar Majko. (Balkanweb)

Lajme të ngjashme

Back to top button